Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka kërkuar votimin e një rezolute, përmes së cilës, Qeveria t’i tërheqë projektligjet për KPK-në, Zyrtarët Publikë dhe atë për Komisionin e Pavarur të Mediave, për të cilat, BE-ja tha se nuk i kanë përfillur rekomandimet e dhëna.
Këtë propozim e kanë përkrahur grupet parlamentare të LDK-së dhe AAK-së.
“Në emër të Grupit Parlamentar të PDK’së, propozoj një mocion përmbajtesor, mocion i cili kërkon ndryshimin e rendit të ditës të kësaj seance. Pra, kërkojmë që përmes një rezolute ta obligojmë Qeverinë e Republikës së Kosovës për tërheqjen e tri projektligjeve të cilat ne vlerësojmë se janë në kundërshtim me frymën kushtetuese…. Ne si opozitë nuk duam thjesht ta kemi një betejë politike në këto projektligj, mendoj që mundemi me punu së bashku, sidomos në ligjin që e cenon fjalën e lirë dhe mediat e lira në vendin tonë dhe konsiderojmë që një angazhim i joni mundet me nxjerrë vendin prej kësaj situate”, tha Tahiri.
21 deputetë votuan për, 53 kundër dhe 1 abstenoi.