Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se Kosova do të marrë pjesë në takimin mujor të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës (UDCG), të organizuar nga Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Lloyd J. Austin III.
Siç ka theksuar Mehaj, Kosova qëndron fuqishëm përkrah SHBA-së dhe aleatëve të saj në Grupin e Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës.
Takimi mbahet në Bruksel.
“Pjesëmarrja jonë, bashkë me rreth 50 ministra e shefa të mbrojtjes të vendeve anëtare e partnere të NATO-s, në grup të nivelit kaq të lartë, është tregues i fuqishëm i besimit të ndërsjellë dhe partneritetit të fuqishëm të SHBA-së dhe aleatëve të saj në Kosovën”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.
Ministri Mehaj, ka theksuar se sekretari i Mbrojtjes të SHBA-së, Lloyd J. Austin III, e ka ftuar dhe organizuar takimin e radhës të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës për të koordinuar ndihmën për mbështetjen e Ukrainës për mbrojtje nga pushtimi i paprovokuar rus.