Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka reaguar në lidhje me deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, se kjo verë do të garantojë bukën e motmotit e të cilët janë shprehur të bindur se nuk do të ketë nevojë për import të grurit.
Në një postim në Facebook, Haliti deklaratat e tilla i ka cilësuar “Prononcime megallomane dhe krekosje të panevojshme”.
Sipas Halitit, deklarata të tilla nuk janë të duhura ende pa përfunduar fushata e korrje-shirjeve, teksa ka shtuar se këto ditë po vërehen radhë të gjata të mahunëve me grurë në terminale nga importi.
Ai ka thënë se qeveria duhet të angazhohet rreth çmimit të grumbullimit të grurit, i cili, sipas tij, është më i ulëti në Kosovë.
“Prononcimet megallomane dhe krekosjet e panevojshme asnjëherë vendit nuk i sjellin vlera. E keni humbë rrugën në oborr dhe po deklaroheni në media, që për herë të parë Kosova këtë vit do t’i plotësojë nevojat ushqyese me prodhim vendor të grurit (pa përfunduar fushata e korrje-shirjeve), përderisa këto ditë po vërehen radhë të gjata të mahunëve me grurë në terminale nga importi. Është e vërtetë që prodhimi i grurit këtë vit është më i lartë për njësi sipërfaqësore (për hektarë), siç është e vërtetë që sipërfaqet kultivuese me kulturën e grurit janë ma të vogla për 20 %, në krahasim me vitet tjera. Andaj, angazhohuni rreth çmimit të grumbullimit të grurit, i cili është më i ulti në Kosovë dhe përkrahni fermerët e vyeshëm e lëreni propagandën”, ka shkruar Haliti.
Tutje, Haliti ka thënë se përgjigjja ndaj fermerëve duhet të jetë reale dhe se meritat duhet të merren edhe për vitin e kaluar, duke e akuzuar qeverinë se “kishte prodhimin më të ulët të grurit në rajon”.
“Jam agronom me profesion dhe jam i vetëdishëm që nuk arrijmë t’i plotësojmë nevojat ushqyese të popullatës me artikullin bazë ushqyes – grurin, e të mos flasim për nevojat foragjere që kanë kategoritë e ndryshme të kafshëve shtepiake, nëse duam ta zhvillojmë industrinë ushqimore (qumështin, mishin dhe produktet tjera animale). Andaj, përgjegjësia e juaj ndaj fermerëve duhet të jetë reale e jo imagjinare, sepse kjo nuk na shpie në zhvillim ekonomik të vendit. Nëse meritat e punëve të vyeshme të fermerëve, mbretërimit të konditave të favorshme klimatike gjatë këtij viti dhe përdorimit cilësor të inputeve bujqësore dëshironi t’ia leni vedit, merrni edhe ‘meritat’ e vitit të kaluar që e patëm prodhimin ma të ulët të grurit në rajon, meqenëse ishit po ashtu në krye të këtij dikasteri. E nëse e keni për populizëm, përkatësisht për vota, thuajeni bile haptas”, ka vijuar ai.
Ndryshe, dje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhillimit Rural, Faton Peci kanë vizituar fermerin Asman Kryeziu nga fshati Bubavec i Malishevës, i cili kultivon rreth 27 hektarë grurë.
Ata janë shprehur të bindur se nuk do të ketë nevojë për import të grurit.
Kurti e Peci kanë thënë se kjo verë do të garantojë bukën e motmotit, me ç’rast premtuan edhe më tej mbështetje përmes subvencionimit.
Kryeministri Kurti ka thënë se Qeveria ka dhënë mbështetje fushës së bujqësisë me buxhet rreth 100 milionë euro.
Kurti ka thënë se kanë shkurtuar edhe procesin e aplikimit për subvencione.
“Pamë korrjen e grurit në një vend që ka qenë djerrinë ku paraprakisht janë nxjerr 260 metra kub grurë, siç tha edhe fermeri, djerrina me grurë është bërë arë me grurë dhe është në funksion të programit tonë që bukën e motmotit ta kemi tonën. Buka jonë në sofrën tonë nga toka jonë. Buxheti për Ministrinë e Bujqësisë është rreth 100 milionë euro ashtu siç e kemi premtuar dhe tash në njërën anë subvencionojmë edhe naftën edhe plehun edhe rendimentin me 4 cent, këtë të fundit për kilogram. Në anën tjetër e kemi zvogëluar jashtëzakonisht dokumentet që i nevojiten fermerëve për subvencione, ka raste ku nga tri javë aplikimi është shkurtuar për vetëm 30 minuta”, ka thënë Kurti, teksa është shprehur optimist se këtë vit nuk do të ketë nevojë për import të grurit.