Në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, është marrë vendim që të pranohen edhe dy viktima pjesëmarrëse në këtë proces.
Sipas njoftimit të DhSK-së, vendimi është marrë më 10 korrik dhe se ato do t’i shtohen grupit 1 të viktimave pjesëmarrëse, numri i të cilave ishte 152, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Më 10 korrik 2024, trupi gjykues II nxori vendimin më të fundit mbi pjesëmarrjen e viktimave në çështjen Thaçi dhe të tjerët. Dy parashtrues të tjerë kërkesash u pranuan si viktima pjesëmarrëse në proces gjyqësor, të cilët do t’i shtohen grupit ekzistues të viktimave në këtë çështje (grupi 1 i cili numëronte 152 viktima pjesëmarrëse) dhe do të përfaqësohen nga i njëjti mbrojtës viktimash”, thuhet në njoftim.
DhSK njofton se afati për dorëzimin e kërkesave për pjesëmarrje si viktima në proces ka skaduar, mirëpo është vendosur kësisoj për shkak se ekzistojnë arsye të vlefshme.
“Në vendimin e tij, trupi gjykues theksoi se afati për paraqitjen e kërkesave për pranimin e viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje ka skaduar më 15 shkurt 2023, por meqenëse ekziston një arsye e vlefshme, ka vendosur t’i pranojë këto kërkesa edhe pse ato ishin dorëzuar pas afatit të paraparë”, thuhet tutje.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.