I pari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka komentuar të dhënat paraprake të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në lidhje me regjistrimin e popullsisë. Sipas të dhënave të publikuara, në Kosovë jetojnë 1,586,659 banorë.
Krasniqi ka thënë se shifra që ka publikuar ASK-ja është pikëlluese.
“Përkundër vonesave dhe shtyrjeve të shumta të regjistrimit të popullsisë nga ana e Qeverisë, më në fund, Agjencia e Statistikave të Kosovës sot publikoi numrin e banorëve rezidentë në vendin tonë. Pa u lëshuar këtu në saktësinë e shifrave të publikuara, është lajm i keq dhe shumë i dhembshëm që, duke u bazuar në publikimet zyrtare të ASK-së, po konfirmohet se vetëm në katër vitet e fundit, Kosova i ka humbur mbi 210 mijë banorë. Sipas ASK-së, në vitin 2020 Kosova kishte 1,798,186 banorë. Ndërsa, sot, kjo Agjenci publikoi shifrën pikëlluese prej vetëm 1,586,659 banorëve rezidentë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Sipas tij, bazuar në shifrat e ASK-së qytetarët po e braktisin vendin, pasi Qeveria i ka braktisur. Dhe për këtë duhet të merren masa ka potencuar kryetari i PDK-së.
“Qytetarët, e veçmas rinia e Kosovës, po e braktisin vendin! Ose, thënë më mirë, Qeveria i ka braktisur ata dhe ëndrrat e tyre. Ky lajm i gëzon vetëm ata që nuk ia duan të mirën vendit tonë. Kjo shifër kërkon veprime politike emergjente. Qytetarët tanë meritojnë më shumë dhe më mirë – pranë familjeve të tyre dhe në vendin e vet”, ka shtuar Krasniqi.