KPK-ja i reagon ashpër pushtetit të Kurtit: Po tenton të kapë dhe të dirigjojë sistemin prokurorial

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për injorimin e vazhdueshëm të sugjerimeve të tyre lidhur me ndryshimet në Ligjin për KPK-në, të miratuar më 11 korrik 2024. KPK-ja e cilëson këtë si një tentativë për të bllokuar/defunksionalizuar dhe kapur sistemin prokurorial

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka shprehur shqetësimet lidhur me miratimin e Ligjit të ri për KPK-në nga Qeveria dhe votimin nga Kuvendi i Kosovës më 11 korrik.

Sipas KPK-së, Qeveria ka injoruar dhe refuzuar në mënyrë të vazhdueshme komentet, sugjerimet dhe propozimet e tyre në grupet punuese të formuara nga Ministria e Drejtësisë dhe në komisionet e Kuvendit.

KPK-ja e ka cilësuar këtë praktikë të njëanshme si një tentativë për të bllokuar dhe defunksionalizuar sistemin prokurorial.

“Kjo praktikë e njëanshme e miratimit të akteve ligjore, tregon qartazi se Qeveria e Kosovës dhe shumica në Kuvendin e Kosovës, me vetëdije dhe në emër të reformave, synojnë të bëjnë të kundërtën e reformës, pra bllokimin dhe defunksionalizimin e sistemit prokurorial.

KPK-ja thekson se miratimi i këtij ligji përbën mosrespektim dhe shkelje të hapur të parimeve kryesore të Deklaratës së Përbashkët të Zotimit, që, në vetvete, paraqet një lloj absurditeti të llojit të rrallë, ngaqë përbërja e Ekzekutivit aktual, gjegjësisht, Ministria e Drejtësisë, nuk po arrin assesi të shmangë qëndrimet politike në raport me sistemin prokurorial, duke mos përfillur sugjerimet e shumanshme dhe duke rënë në kundërshtim jo vetëm me kërkesat e bazuara të përfaqësuesve të KPK-së, por edhe me kërkesat dhe rekomandimet e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe organizatave vendore dhe ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e tyre.

Këshilli ka paralajmëruar se tendenca e pushtetit për të ndërhyrë në sistemin prokurorial dhe drejtësi paraqet një rrezik të madh për kapjen dhe dirigjimin e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, duke pamundësuar funksionalizimin e tij dhe duke e bërë atë lehtësisht të ndikuar nga politika.

“Megjithatë, KPK-ja është mirënjohëse dhe falënderuese në mënyrë të veçantë ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe të shoqërisë civile në vend, të cilët u vunë në mbrojtje të këtyre parimeve dhe insistuan me ngulm që Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës të mos injorojnë rekomandimet e institucioneve vendore, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe OSBE-së sa i përket Projektligjit për Këshillin Prokurorial.

Me këtë rast, KPK-ja është bashkuar plotësisht me thirrjet dhe apelet kuptimplota për respektimin e normave dhe standardeve evropiane para miratimit të këtij ligji dhe ligjeve të tjera në Kuvend, duke kritikuar ashpër qasjen e pushtetit lidhur me cenimin e pavarësisë së institucioneve kushtetuese të vendit, siç është KPK-ja.
Realisht, kjo tendencë e pushtetit, e zbuluar tashmë plotësisht, paraqet ndërhyrje rigoroze në sistemin prokurorial dhe në tërë sistemin e drejtësisë, duke përtërirë çdo ditë veprime dhe lloj-lloj farsash dhe insinuatash, me qëllimin e vetëm që në emër të kinse synimit të fuqizimit të llogaridhënies më të madhe në sistemin prokurorial, të arrihet ekuilibri i përbërjes me anëtarë prokurorë dhe joprokurorë, por që, në vetvete është tentim për kapjen dhe dirigjimin e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit dhe cenon mandatin kushtetues dhe pavarësinë e sistemit prokurorial, duke pamundësuar funksionalizimin e tij dhe duke e bërë atë lehtësisht të ndikuar nga politika”, thuhet më tej në reagimin e KPK-së.

Në përfundim, KPK-ja ka theksuar përkushtimin e saj për të mbështetur proceset reformuese dhe ka bërë thirrje për bashkëpunim me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë për fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Ata kërkojnë respektimin e plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe mënjanimin e çdo tendence për kapjen antikushtetuese të institucioneve të pavarura të vendit.

“Përfundimisht, Këshilli Prokurorial i Kosovës, potencon se mbetet i përkushtuar për të mbështetur proceset reformuese dhe angazhohet që së bashku me të gjithë partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, të bashkëveprojë në çdolloj nisme që ka për qëllim reformimin e nevojshëm, në mënyrë që të fuqizohet sundimi i ligjit në Kosovë dhe sistemi prokurorial të bëjë punën e vet të pavarur, profesionale, llogaridhënëse dhe transparente, por njëkohësisht kërkon edhe respektimin e plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe mënjanimin e çfarëdo tendence për kapjen antikushtetuese të institucioneve të pavarura të vendit”, përfundon reagimi i tyre.

Shija e redaktorit

Blinken uron Shqipërinë: Lidhjet tona do të vazhdojnë të lulëzojnë

Në një mesazh për 28 Nëntorin, sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony  Blinken, shprehu urimet e tij për popullin shqiptar, duke theksuar marrëdhëniet e...

Osmani: 28 Nëntori, kujtim i sakrificave dhe simbiozë e tri...

Në një urim për 28 Nëntorin, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar rëndësinë historike të kësaj dite, duke e cilësuar atë si një...

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të fundit nga rubrika