Lojërat Olimpike “Paris 2024” do të fillojnë me 26 korrik dhe do të zgjasin deri më 11 gusht. Kosova do të jetë njëra nga vendet që do të ketë garues të kategorive të ndryshme. E lidhur me “Paris 2024”, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot ka dorëzuar flamurin e Republikës së Kosovës ekipit olimpik të vendit.
Në ceremoninë e dorëzimit të flamurit për ekipin olimpik të Kosovës, Osmani tha se flamuri i vendit simbolizon “shpirtin, forcën dhe unitetin” e shtetit të ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve tanë.
Osmani iu drejtua sportistëve, duke iu thënë “garoni me nder e jepni më të mirën”, teksa ka shtuar se çdo hap që hedhin në skenën globale është “dëshmi e përkushtimit dhe këmbënguljes së popullit.
“Garuesit që na përfaqësojnë në Lojërat Olimpike 2024, e nderojnë shtetin e tyre. Guximi, vendosmëria dhe pasioni i tyre na kujton potencialin e pakufijshëm që ekziston brenda secilit. Ju uroj suksese secilit, edhe pse ju veçse keni lënë gjurmë të pashlyeshme për shtetin, për sportin dhe historinë e vendit tonë. Nuk do të jetë vetëm një arritje personale, por një fitore për mbarë Kosovën. Do t’i tregojmë botës mbarë forcën, qëndrueshmërinë dhe talentin që ka rinia jonë. Përpjekjet e juaja do të hapin rrugën për brezat e ardhshëm të atletëve, duke frymëzuar ata të projektojnë ëndërrat e mëdha dhe t’i ndjekin qëllimet e tyre me vendosmëri. Flamuri i Kosovës simbolizon shpirtin, forcën dhe unitetin e shtetit tonë të ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve. Garoni me nderë, jepni më të mirën e juaj dhe mbani mend se çdo hap që hidhni në skenën globale është dëshmi e përkushtimit dhe këmgënguljes së një populli të tërë”, deklaroi Osmani.
Osmani shtoi se garuesit kosovarë do të jenë mishërimi i shpresave dhe i ëndërrave në përfaqësimin denjësisht të Kosovës në arenën olimpike.
“Garuesit kosovarë do të jenë mishrim i shpresave dhe i ëndërrave tona. Përkushtimi, disiplina dhe pasioni juaj na frymëzojnë neve, të gjithëve. Mbajeni me vete mbështetjen dhe admirimin e secilit qytetar të Kosovës. Derisa dilni në skenat globale, mbani në mend se në asnjë moment nuk do të jeni vetëm. Zemra e secilit qytetar do të rrahë bashkë me juve. Një shtet i tërë qëndron me ju, duke iu brohoritur me krenari dhe besim të plotë me aftësi dhe punët e juaja. Sot iu dorëzoi flamurin e Kosovës, jam e mbushur me krenari dhe shpresëplotë. Këtë vit, Kosova do të përfaqësohet edh enë lojëra paraolimpike”, shtoi Osmani.
Osmani shtoi se pjesëmarrja e Kosovës në Lojërat Olimpike paraqet kulmin e një pune të madhe.
“Lojërat olimpike i kapërcejnë kufijtë e sportit. Ato mëshirojnë parimet e unitetit, paqes dhe respektit të ndërsjellët. Në një botë sikur kjo e sotme, e cila shpesh ndahet nga dallimet. Lojërat olimpike nxjerrin në pah të përbashkëtat tona, respektivisht aftësinë tonë për të bashkuar nëpërmjet konkurencës miqësore dhe respektit të ndërsjelltë. Për Kosovën, pjesëmarrja në Lojëra Olimpike paraqet kulmin e një pune të palodhur, shumëvjeçare. Përkushtimin dhe vendosmërinë e pashoq nganjëherë edhe në rrethana të jashtëzakonshme të sportistëve dhe trajnerëve të tyre”, deklaroi Osmani.