Një adoleshent 16-vjeçar është dërguar me urgjencë në spital pas një incidenti me armë zjarri në fshatin Dubravë të Istogut, ku ai është plagosur në kokë.
Incidenti dyshohet të ketë ndodhur në shtëpinë e një zyrtari policor, i cili dyshohet se aksidentalisht ka shkrepur armën e tij zyrtare.
“Sot pas mesnatës Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar një informacion nga Policia e Kosovës se ka ndodhur një incident me armë zjarri në fshatin Dubravë të Istogut ku një person ishte plagosur në kokë. Hetuesit e IPK-së menjëherë i janë përgjigjur thirrjes kurse në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitet përkatëse policore si dhe prokurori kujdestar. Personi i plagosur në këtë rast (i moshës 16 vjeçare i cili ka lidhje familjare me policin) është dërguar me urgjencë për trajtim mjekësor fillimisht në Spitalin Rajonal të Pejës e pastaj është dërguar në QKUK në Prishtinë. Bazuar në hetimet preliminare fillestare dyshohet se rasti ka ndodhur në shtëpinë e zyrtarit policor i cili deri në këtë fazë të hetimit dyshohet se aksidentalisht ka shkrepur armën zyrtare”, thuhet në njoftim e IPK-së.
Hetuesit e IPK-së kanë reaguar menjëherë pas thirrjes dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa janë angazhuar edhe njësitë policore dhe prokurori kujdestar.
Personi i plagosur, i moshës 16 vjeçare dhe me lidhje familjare me policin, është dërguar me urgjencë për trajtim mjekësor fillimisht në Spitalin Rajonal të Pejës dhe më pas në QKUK në Prishtinë.
Zyrtari policor i dyshuar në këtë rast është arrestuar nga Inspektorati Policor me akuzën “vrasje e mbetur në tentativë”.
Prokurori ka caktuar masën e ndalimit për 48 orë për të dhe e ka suspenduar atë nga detyra.
Nga Qendra Klinike Universitare të Kosovës (QKUk), kanë konfirmuar për Dukagjinin, se 16-vjeçari në konsultim me mjekun kujdestar është futur në sallë të operimit, dhe më pas pacienti është transferuar në Mjekim Intensiv në Klinikën e Pediatrisë.
“QKUK, ju konfirmon se një 16-vjeçar ka ardhur në Klinikën Emergjente, si pasojë e plagosjes me armë zjarri. Të njëjtit i është ofruar fillimisht ndihma emergjente mjekësore, i janë bërë ekzaminimet diagnostike dhe në konsultim me mjekun neurokirug dhe anesteziologu, është futur në sallë të operacionit. Pas operacionit, pacienti është transferuar në Mjekim Intensiv në Klinikën e Pediatrisë!”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.
Hetuesit e IPK-së së bashku me njësitin e forenzikës, njësinë rajonale të hetimeve dhe njësi të tjera do të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur incidenti në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.