Këtë të martë, Policia e Kosovës ka asistuar Agjencinë Kosovare të Privatizimit për verifikimin e e disa pronave në veri, ku edhe janë mbyllur tri pompa derivatesh të cilat janë konsideruar se kanë vepruar ilegalisht.
Njëra është mbyllur në Mitrovicë të Veriut, njëra në Zubin-Potok e tjetra në afër Liqenit së Ujmanit.
Sipas ministres së Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, “Inspektorët e Tregut kanë zbuluar se këto pompa operonin pa leje të shitjes me pakicë për Dizel dhe Benzinë”.
“Sot, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Policinë e Kosovës dhe Inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës, ka realizuar një aksion të përbashkët në pjesën veriore të vendit. Gjatë këtij aksioni, janë mbyllur përkohësisht 3 pika shitëse të derivateve të naftës për të verifikuar dokumentacionin përkatës. Inspektorët e Tregut kanë zbuluar se këto pompa operonin pa leje të shitjes me pakicë për Dizel dhe Benzinë”, tha ajo.
Hajdari bëri të ditur se “Të gjitha subjektet që merren me veprimtari të produkteve të naftës ose karburanteve të ripërtërishme, duhet të pajisen me leje të vlefshme nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për të zhvilluar veprimtarinë e tyre brenda territorit të Republikës së Kosovës”.
Ajo theksoi se ndaj operatorëve ekonomik që ushtrojnë veprimtari tregtare në kundërshtim me ligjin, do të merren masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi.
Ajo bëri të ditur se inspektime të tilla do ketë edhe ditëve në vijim.
“Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do të vazhdojë inspektimet edhe ditëve në vijim dhe nëse konstatohen shkelje, do të ndërmerren masa për ndalim të ushtrimit të veprimtarisë si dhe masa të tjera ndëshkuese konform legjislacionit aktual”, tha ajo.