Këtë të martë, Policia e Kosovës ka asistuar Agjencinë Kosovare të Privatizimit për verifikimin e disa pronave në veri, ku edhe janë mbyllur tri pompa derivatesh, të cilat janë konsideruar se kanë vepruar ilegalisht.
Njëra është mbyllur në Mitrovicë të Veriut, njëra në Zubin-Potok e tjetra në afër Liqenit së Ujmanit.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u shpreh se “Krimi në veri të vendit ka qenë i thellë, i organizuar dhe i papenguar sheshazi gjithë këto vite”.
“Krimi në veri të vendit ka qenë i thellë, i organizuar dhe i papenguar sheshazi gjithë këto vite. Në kontrast me përvojën e hidhur për më shumë se dy dekada kemi dëshmuar se sundimi i rendit dhe ligjit është i mundshëm kudo nëpër Republikën tonë. Policia e Kosovës sot ka asistuar AKP-në në lirimin e hapësirave të saj në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, pas konfirmimit se ato po keqpërdoreshin nga pompat e derivateve të cilat i janë shmangur obligimeve ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Ministri bëri të ditur se këto pompa kishin lidhje pronësore me Gazpromin e Rusisë.
“Epoka e përfitimeve dhe pasurimeve në kurriz të shtetit dhe qytetarëve po perëndon. Për shtetin dhe qytetarët pa dallim do të bëjmë gjithçka, për keqpërdoruesit ballafaqim me ligjin. Shkelësit e ligjeve dhe rregullave tona si ‘’Nis Petrol’’, damar i Gazpromit rus, nuk ka vend në Republikën e Kosovës”, vijoi ai.