Tortura e plagët e marra në majin e vitit 1999, të mbijetuarit e masakrës së Staradranit nuk mund t’i harrojnë as pas 25 vitesh.
Këto plagë Naim Elshani ia tregoi edhe gjykatës gjatë dhënies së fjalëve përfundimtare në gjykimin ndaj të akuzuarit Ekrem Bajroviq.
“Jam i lumtur qe pas 25 viteve i mbijetova tmerrit. Kam 7 plagë në trup, një shihet në fytyrë këtu, edhe në trup i kam disa tjera… Pas ekzekutimit, jam pre me sakica. Kërkoj drejtësi nga kjo gjykatë dhe besoj në drejtësi se unë do të vdes se jam me pasoja shumë të rënda, nuk flej prej dhimbjeve”, ka thënë Elshani.
Një pyetjes ende nuk ia ka kuptuar përgjigjen Daut Elshani, të cilit forcat serbe ia vranë 3 djem dhe vëllain.
“Kam qef me dite kujt i bëra gjë me mi vra djemtë. Kush mi vrau tre djemtë dhe vllahun. Kujt i pata hak. As si kam pas hak, as hile dikujt me mi vra tre djemtë”, ka shtuar Elshani.
Në seancë, dënimin e Ekrem Bajroviqit e kërkoi edhe prokurori special Ilir Morina.
“Në emër të viktimave të vrara që s’mund të flasin për veten e tyre dhe në emër të drejtësisë, ne kërkojmë që kjo mizori të mos mbetet e pandëshkuar”, ka thënë Morina.
Por me akuzat që rëndojnë mbi Bajroviqin nuk po pajtohet mbrojtja e tij e as vet i akuzuari.
“Nuk jam fajtor për asnjë pikë të aktakuzës dhe shpresoj trup gjykues të ma jepni gjykimin lirues”, ka thënë Bajroviq.
“Ne besojmë se provat që janë administruar gjatë këtij procesi dhe gjatë hetimeve që i ka paraprirë këtij gjykimi, ato prova në asnjë pjesë nuk e kanë vërtetuar fajësinë Bajroviqit dhe posaçërisht jo fajësinë përtej dyshimit te arsyeshëm”, ka thënë avokati i Bajroviqit, Lubomir Pantoviq.
Ekrem Bajroviq akuzohet nga Prokuroria Speciale që si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe ka kryer krime lufte kundër popullsisë civile gjatë periudhës 1998-1999.