Të premten e 15 qershorit, u shënua përvjetori i 12-të i vdekjes së aktorit të mirënjohur shqiptar me famë ndërkombëtare, Bekim Fehmiut.
Aktori Armond Morina për PortaliD në përvjetorin e 12-të të vdekjes së aktorit të mirënjohur Bekim Fehmiu ka thënë se aktori është pasuri internacionale dhe në aspektin tonë nacional pas Aleksandër Moisiut, është Bekim Fehmiu ai që ka arritur më së shumti me punën e tij.
“Sa i përket misionit të tij në botën e artit, radhitet në figurat kryesore të artit shqiptar. Unë kam pasur fatin ta takoj dhe të bisedoj me të. Pas vdekjes së tij, u ndjeva krenar kur isha në Kuvendin e Beogradit, e kishin nderuar figurën e Fehmiut me pullë postare dhe aty mendova se sa vonë jemi ne me njerëzit tanë”, ka thënë Armond Morina.
Morina, tutja ka thënë se është i informuar se tani po organizohet një kinotekë që shërben për përkujtimin e Bekim Fehmiut. Për këtë kinotekë po punohet nga një grup punues që do të shfaqet te “Kinemaja ABC” në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Bekim Fehmiu është i vetmi aktor nga vendet komuniste që ka arritur deri në Hollywood e të mos flasim pastaj për atdhedashurinë e tij dhe nivelin e tij të patriotizmit”.
”Sa ishte gjallë, ai vinte këtu deri në fund të karrierës së tij, por ne jemi një shoqëri që nuk u japim mundësi njerëzve sa janë gjallë. Sepse në fakt, ai ka përformuar në të gjithë Jugosllavinë, por shumë pak dihet për të në vendin e tij”, ka thënë aktori.
Morina ka shtuar se ne jemi një shoqëri me fat tragjik që njerëzit e mëdhenj nuk dëshirojmë t’i shohim lart dhe kjo po na përcjell ende si mentalitet dhe kulturë.
“Mirëpo, u gëzova që po e bëjnë kinotekën dhe gjeneratat e reja do të dinin se çfarë gjiganti ka qenë prej këtij vendi. Ne e nderojmë vetveten me të gjithë punën që e bejmë si aktor, duke ia nxitur imagjinatën gjeneratave të ardhshme se dhe prej një vendi të varfër siç ka qenë Kosova, mund të dalin njerëz të mëdhenj”, ka shtuar aktori Armond Morina.
Morina ka thënë se për të përkujtuar aktorin Bekim Fehmiu do të luhet shfaqja “Mbledhësit e Puplave”.
Më tej, ai ka shtuar se njerëzve të tillë iu vjen koha. Dhe, nëse gjenerata jonë nuk di të vlerësojë do të vijë gjenerata e ardhshme, sepse këta njerëz janë si margaritarë.
“Sado që përpiqesh t’i fshehësh ata janë si pasuri nëntokësore”, ka përfunduar aktori Morina. /PORTALID