Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është zgjedhur edhe për një mandat në krye të këtij institucioni.
Për t’i dhënë edhe një mandat pesëvjeçar von der Leyen votuan 401 eurodeputetë. Asaj i duheshin 361 vota nga 720 sa janë gjithsej në Parlamentin Evropian.
Para votimit, von der Leyen i ka bërë publike prioritetet e saj për mandatin e ardhshëm, duke përfshirë edhe procesin e zgjerimit të bllokut evropian.
“Kremtimi i 20-vjetorit të zgjerimit më të madh ndonjëherë të BE-së na mundësoi të reflektojmë mbi këtë proces, që u dëshmua si sukses për këto vende, dhe për BE-në në tërësi. Historia na thërret përsëri dhe BE-ja ka një zgjedhje për ta bërë për të ardhmen e saj. Unë besoj se është një imperativ moral, politik dhe gjeo-strategjik që ta kompletojmë bllokun tonë, në përputhje me premtimet që kemi dhënë në bazë të traktateve”, është thënë në deklaratën e shefes së BE-së.
Ajo ka thënë se në një botë ku ekzistojnë fuqitë e mëdha, një BE më e fortë dhe më e zgjeruar, i jep Evropës një peshë më të madhe në skenën globale. Ajo ka përsëritur se procesi i zgjerimit do të mbetet i bazuar në meritat individuale të atyre që duan të bëhen pjesë e BE-së.
“Ky nuk do të jetë një rrugëtim i lehtë. Anëtarësimi në BE do të jetë gjithmonë i bazuar në merita dhe secili kandidat do të vlerësohet në bazë të progresit në përmbushjen e kritereve. Do t’i rrisim përpjekjet për t’i përgatitur vendet kandidate, në veçanti përmes investimeve dhe reformave me planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor, dhe mjetet për Ukrainën”, ka thënë ajo.
Von der Leyen ka premtuar se pas rizgjedhjes do ta emërojë një komisionar të përkushtuar për të çuar përpara procesin e zgjerimit.
“Shumë kishin dyshime në aftësinë e BE-së për të integruar një numër të madh të vendeve të reja anëtare në vitin 2004, që kishin gjendje të ndryshme ekonomike, strukturore dhe numër të banorëve. Por, BE-ja dëshmoi se mund të përballej me këtë, duke u përgatitur nga brenda, dhe duke i integruar shumë herët ato. Evropa do të dëshmojë këtë edhe një herë”, ka thënë ajo duke folur për zgjerimin.
Von der Leyen ka paralajmëruar edhe që do ta emërojë një komisionar të posaçëm për Mbrojtje dhe një tjetër për Mesdheun, pasi këto fusha, sipas saj, janë sfidë dhe prioritet për Bashkimin Evropian./RadioEvropaLire