Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, marrë në posedim objektet e N.Sh. Jugobanka, duke përfshirë filialet në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.
Sipas njoftimit për media të AKP-së, këto asete kanë qenë duke u shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme nga Banka Posta Kursimore sh.a. (Banka Postanska Stedionica a.d.) deri më 20 maj të këtij viti.
“Në vazhdën e vendosjes së ligjshmërisë dhe administrimit të ligjshëm të aseteve në pronësi shoqërore, Agjencia Kosovare e Privatizimit, me asistencë të Policisë së Kosovës, ka marrë në posedim objektet e N.Sh. Jugobanka, respektivisht filialet në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq. Këto asete kanë qenë duke u shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme nga Banka Posta Kursimore sh.a. (Banka Postanska Stedionica a.d.) deri më datë 20 maj 2024, kur institucionet kompetente të Republikës së Kosovës kanë mbyllur këto njësi të të ashtuquajturës Bankë Postare e Kursimeve (Banka Postanske Stedionica).
AKP falënderon policinë e Kosovës dhe institucionet tjera relevante për asistimin dhe mundësimin e zbatimit të mandatit të saj ligjor në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.