Kërkimi për personin që vrau policin kufitar, Nikolla Krsmanoviq, dhe plagosi rëndë kolegun e tij Vjekoslav Iliq në Loznicë të Serbisë, është ende duke vazhduar.
I dyshuari thuhet se është drejtuar drejt lumit Drin dhe autoritetet po kryejnë kërkime intensive në të dy bregdetet, duke përdorur helikopterë dhe dronë.
Në vendngjarje u gjetën një pasaportë e Kosovës dhe një letërnjoftim gjerman në emër të Artan Hajrizit.
Disa javë pas arratisjes – të nëntën me radhë – nga burgu i Smrekonicës të Vushtrrisë, Faton Hajrizi, vëllai i Artanit tani është si i dyshuar për rastin në fjalë.
Siç raportohet për ngjarjen, njëri prej personave, që dyshohet të jetë Hajrizi, ka shtënë me armë duke e goditur zyrtarin policor Nikolla Kërsmanoviç në gjoks dhe zyrtarin policor Iliç Vjekosllav në shpatull dhe më pas ka ikur.
Artan Hajrizi, në “Debat Plus”, ka thënë se vëllai i tij Faton Hajrizi, para dy ditësh kishte shkuar në Gjermani te banesa e tij.
Sipas Artan Hajrizit, vëllai i tij Fatoni, ka kërkuar të qëndrojë në banesën e tij, por që ky nuk e ka lejuar. Madje, sipas tij, e ka kërcënuar, duke i thënë se nëse nuk del nga banesa e tij për një orë, do t’ia thërrasë policinë.
Tutje, ai u shpreh se Fatoni ia ka marrë dokumentet personale pa lejen e tij.
Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se pretendimet për një deklaratë të Artan Hajrizit, ku thuhet se vëllai i tij i kishte marrë dokumentet, janë të rreme.
Daçiq ka theksuar se nëse vëllai i tij ishte në Gjermani, nuk kishte arsye të kthehej në Preshevë.
Daçiq e cilësoi ngjarjen si sulm terrorist dhe theksoi se rasti po hetohet nga Prokuroria për Krim të Organizuar.
Një person është arrestuar në Bijelinë për transportimin e sulmuesve nga Presheva në Loznicë.
Serbia nuk ka hezituar, përkundër se pa asnjë provë, që ta politizojë rastin dhe ta fajësojë Kosovën për këtë ngjarje.
Daçiç ka theksuar se ka dyshime se rasti ka qenë i planifikuar nga strukturat e Kosovës.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje që të mos politizohet ky rast.
Lexo edhe: Polici i plagosur tregon se si erdhi deri te ngjarja ku mbeti i vdekur kolegu i tij
Polici i plagosur në Serbi, ka treguar se si ka ardhur deri te ngjarja ku mbeti i vdekur kolegu i tij.
Ai ka thënë se fillimisht e ndaluan një veturë me targa turke për shkak se sipas tij ishte e dyshimtë.
Ai ka treguar se nuk ka pasur të shtëna menjëherë, ndërsa shoferi dhe pasagjeri kanë siguruar dokumentet e tyre personale.
Pas kësaj, sipas tij kanë ndodhur edhe të shtënat.
Nuk ka informacione nëse sulmuesi është plagosur. Iliç ka thënë gjithashtu se sulmuesi nuk dinte ose nuk donte të fliste gjuhën serbe.