Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se pas një aksioni të zhvilluar këtë të premte në orët e mëngjesit, janë arrestuar katër persona të dyshuar për fajde.
Siç thuhet në njoftim, si rezultat i këtij aksioni, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë kryer bastisje në disa lokacione në Prishtinë, për shkak të dyshimit për veprën penale “Fajdeja”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës-Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë dhe njësive tjera mbështetëse, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, nga orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme, ka realizuar një aksion, me ç’ rast janë kryer bastisje në disa lokacione në territorin e qytetit të Prishtinës, për shkak të dyshimit të veprës penale “Fajdeja”, sipas KPRK-së”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Po ashtu, sipas njoftimit, Prokuroria Themelore në Prishtinë do të ndërmarrë veprime të mëtutjeshme ligjore ndaj të dyshuarve tashmë të arrestuar.