Naim e Daut Elshani këtë të premte erdhën për të dëgjuar aktgjykimin në një rast që ata janë të mbijetuar.
Ekrem Bajroviq, ish-pjesëtar i Policisë serbe akuzohej nga Prokuroria si pjesëmarrës në vrasjen e civilëve shqiptarë në rajonin e Istogut.
“Me dënim me burgim me kohëzgjatje prej 12 viteve, në të cilin llogaritet koha në paraburgim”.
Por, ky dënim për dëshmitarin që u plagos në kokë por shpëtoi, është i ulët.
“Unë për veti nuk jam i kënaqur me këtë vendim, pak është, është vendim qesharak, ky është dashtë të dënohet me 30 vite”, ka thënë dëshmitari Naim Elshani.
“Ky që është dënuar, pak janë megjithatë po e dimë që ky ka marrë pjesë në masakren e Sarradranit me shokët e vet”, ka shtuar Elshani.
Sipas Gjykatës është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar se Ekrem Bajroviq kishte marrë pjesë në vrasjen e civilëve shqiptarë, së bashku me ushtrinë serbe në fshatrat Staradran, Zallc, Gurrakoc dhe fshatra tjera përreth të Komunës së Istogut.
“Duke iu thënë ku e keni NATO-në, ku e keni UÇK-në, dhe pastaj me forcat paramilitare duke i dërguar një nga një, në shtëpinë e Zymer Sadikut dhe i pushkatojnë të paktën 16 civilë të nacionalitetit shqiptarë”, ka thënë kryegjyqtari, Mentor Bajraktari.
Kurse avokati i Bajroviqit, paralajmëroi ankesë.
“Është vendim por për të kënaqur mediat dhe publikun e Kosovës, besojmë se Ekrem Bajroviq nuk është fajtor dhe se nuk ka asnjë provë të vetme se ai ka marrë pjesë në vrasjet e civilëve. Do ta ankimojmë këtë vendim, kemi një afat prej 30 ditësh”, ka thënë Millosh Deleviq.
Bajroviq, që është shtetas i Malit të Zi, sipas Gjykatës ka kontribuuar në aplikimin e masave represive të bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës dhe trajtimit në mënyrë ç’njerëzore të popullatës civile.