Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar në lidhje me arratisjen e Faton Hajrizit nga Burgu i Smrekonicës më 6 korrik.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, ka konfirmuar për Dukagjinin teksa ka njoftuar se i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda ka zhvilluar hetime në lidhje me arratisjen e ndodhur ditë më parë në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë. Në vazhdën e veprimeve hetimore, sot me datë 20.07.2024 është ftuar për intervistim një person mashkull kosovar, për të cilin dyshohet se ka ndihmuar të dyshuarin pas arratisjes nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë.
Për të gjitha veprimet hetimore është konsultuar prokurori kompetent, me vendim të të cilit personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë”, ka njoftuar Kelani.
Rreth dy javë më pas nga arratisja, Faton Hajrizi u vra nga policia serbe pasi dyshohet se mesnatën e së mërkurës vrau një polic serb dhe plagosi një tjetër në Lloznicë të Serbisë.