Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Time Kadrijaj, për protestën e nesërme të paralajmëruar nga veteranët, për mospërfshirjen e tyre në beneficionet e pagës minimale, ka thënë se është fajtore Qeveria Kurti dhe posaçërisht siç thotë ajo, faji është i kryeministrit Albin Kurti.
Ajo ka konfirmuar se do të jetë pjesë e kësaj proteste.
E ftuar në emisionin “Five”, ajo ka thënë se deri sa të mos bëhet kategorizimi i veteranëve, ligji për pagën minimale mbetet në fuqi, kështu që veteranët nuk janë fajtorë për protestën e nesërme, sepse sipas saj, është shkelur dinjiteti i tyre.
Por, Kadrijaj ka thënë se protesta e nesërme duhet të jetë e qetë dhe paqësore, të tregohet kulturë dhe mirëkuptim.
Sipas saj, ky projektligj që diskrimon disa kategori, e sidomos veteranët, siç thotë ajo, është tendencë e Kurtit që të përçajë popullin.
“Ende nuk ka ndodhur kategorizimi i veteranëve, ka qenë e çuditshme, Ne si opozitë kemi kërkuar që të rritet paga minimale, por mos të jetë kjo tendencë e Kurtit që të përçajë popullin, është tendencë përçarëse, ishte një delegacion kroat para seancës, të cilët kanë mbetur të çuditur nga ky vendim i kësaj Qeverie, sepse në botë kur të rritet paga minimale, rritet për të gjithë”, ka thënë Kadrijaj.
Kadrijaj: Nuk mund të gjykohen Gjykatat për veteranët e rrejshëm
Kadrijaj ndër të tjera ka thënë se, pastrimi i listave të veteranëve duhet të bëhet në mënyrë ligjore.
“Megjithatë çështja është në Gjykatë, ne nuk jemi që të mos verifikohen listat, ata veteranë që kanë një punë nuk marrin benefite materiale, benefite materiale marrin vetëm ata që nuk janë të punësuar, është dashur të kenë një pagë meritoreN. e është dashur të marrim shembull Kroacinë, të kemi një model të mirë”, ka thënë ajo.
Ajo, gjithashtu, ka thënë se, Qeveria po sillet me luksin e numrave, dhe sipas saj, nuk duhet të sillet me arrogancë të numrave, sepse siç thotë ajo, është e çuditshme të votojnë VV-ja dhe Lista Serbe, njësoj për këtë projektligj.
“Të gjithë ata deputetë të Vetëvendosjes që kanë votuar kundër çështjes së veteranëve, të votojnë njëjtë sikur Lista Serbe. Nuk dua ta paragjykoj, sepse Lista Serbe janë kategori kushtetuese për projektligje të ndryshme të votojnë, por për njerëz që kanë qenë pjesë e luftës, të votojnë në këtë mënyrë është e çuditshme”, ka theksuar Kadrijaj.
Ajo ka thënë që ka qenë veprim i mirë ai i Humollit, që e ka kundërshtuar partinë e tij për këtë projektligj.
“Mua më ka ardhur tepër mirë që Humolli nuk është bërë pjesë e asaj maskarade, të votojë kundër përfshirjes së veteranëve në ligjin për pagën minimale, është në dorën e Kurtit, që të kalojë këtë projektligj, po e kanë shumicën absolute, nuk duhet të sjellen me arrogancën e numrave”, ka shtuar Kadrijaj.
Ajo ndër të tjera ka shtuar në emër të partisë AAK se janë pro tërheqjes së mjeteve nga Trusti, që pritet të jetë në rend dite në seancën e nesërme.