Ish-presidenti Donald Trump ka shprehur shqetësimin e tij për mungesën e paralajmërimeve nga Shërbimi Sekret para incidentit të rrezikshëm gjatë një tubimi në Pensilvani.
Në një intervistë për Fox News, Trump ka deklaruar se askush nuk e kishte përmendur dhe se askush nuk e kishte vënë në dukje se kishte një problem.
“Unë do të kisha pritur për 15 minuta, 20 minuta, 5 minuta, diçka. Askush nuk tha”, ka shtuar ai.
Incidenti ndodhi më 13 korrik, kur një person qëlloi Trump-in në vesh.
Sipas Washington Post, zyrtarët e lartë të Shërbimit Sekret kishin refuzuar kërkesat për më shumë fuqi punëtore dhe pajisje nga ekipi i sigurisë së Trump.
Gazeta citon njerëz të njohur me çështjen që thonë se agjencia shpesh pretendonte mungesën e burimeve si arsye për mosplotësimin e këtyre kërkesave.
Megjithatë, zëdhënësi i Shërbimit Sekret, Anthony Guglielmi, ka mohuar këto akuza, raporton Reuters.
Në një deklaratë për Reuters, ai ka thënë, “Në disa raste kur njësi ose burime specifike të specializuara të Shërbimit Sekret nuk u siguruan, agjencia bëri modifikime për të garantuar sigurinë e të mbrojturit”.
Guglielmi ka shtuar se agjencia përdori partnerë shtetërorë ose lokalë për të ofruar funksione të specializuara ose identifikoi alternativa të tjera për të reduktuar ekspozimin publik të të mbrojturit.