Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas shpërthimit pranë liqenit të Ujmanit në veri, duke thënë se në këtë sulm kriminal do të përfshihen edhe institucionet e sigurisë.
Në një postim në Facebook, Kurti ka theksuar se Serbia dhe qarqet e caktuara mike me të, nuk iu leverdis normaliteti i krijuar në veri të vendit.
Ai ka thënë se humbja e ndikimit në këtë zonë ka shkaktuar nervozizëm dhe agresivitet nga ana e Serbisë dhe grupeve kriminale, të cilat kanë humbur mundësitë për përfitime të mëdha që kishin pas çlirimit të Kosovës.
“Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të, nuk iu levërdis normaliteti i krijuar në atë pjesë të vendit tonë. Duke e humbur ndikimin në këtë zonë, nervoza u bëhet agresivitet. Edhe grupe të ndryshme kriminale, pak a shumë të lidhur me të, kanë humbur mundësinë për përfitime enorme çfarë i patën për më shumë se dy dekada që nga çlirimi i Kosovës. Kjo është e dhimbshme për ta dhe vështirë e pranueshme”, ka shkruar Kurti.
Ai ka shtuar se Kosova do të vazhdojë të përdorë potencialin dhe bukuritë e saj për të gjithë qytetarët pa dallim, dhe se institucionet e sigurisë do të bëjnë çmos për të zbuluar dhe ndëshkuar autorët e këtij sulmi.