Shtëpia e Bardhë ka reaguar ndaj thirrjeve për dorëheqjen e presidentit amerikan, Joe Biden nga posti i tij pas njoftimit për tërheqjen nga gara për zgjedhjet e nëntorit.
Në deklaratë thuhet se Biden do të përfundojë mandatin e tij presidencial, duke theksuar përmirësimet që ai ka bërë gjatë qeverisjes.
“Presidenti Biden trashëgoi një ekonomi në rënie të lirë, një shkallë të lartë të krimit të dhunshëm dhe aleanca të shkatërruara nga paraardhësi i tij. Ai e ktheu atë për të dhënë rritjen më të fortë ekonomike në botë dhe shkallën më të ulët të krimit të dhunshëm në gati 50 vjet, duke e bërë NATO-n më të madhe se kurrë”, thuhet nga ana e Shtëpisë së Bardhë, raporton BBC.
Po ashtu, nga ana e tyre thuhet se Biden mezi pret të përfundojë mandatin e tij dhe të japë rezultate më historike për popullin amerikan.
Pavarësisht spekulimeve nga disa republikanë që kërkojnë dorëheqjen e Biden si president, Shtëpia e Bardhë ka theksuar se ai do të vazhdojë të luftojë për mbrojtjen e lirisë së amerikanëve nga “ndalimet radikale të abortit dhe sulmet ndaj shtetit të së drejtës”.