Një shtetase e huaj është arrestuar të dielën nga policia kufitare, si e dyshuar për kontrabandim me migrantë.
Siç ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh, gjatë kontrollit të dokumenteve të shtetases së huaj dyshohet se ajo ka sjellë në vend një person i cili më pas ka kërkuar azil.
“Prishtinë 21.07.2024- 10:00. Është arrestuar një e dyshuar femër shtetase e huaj pasi që e njëjta gjatë kontrollit të dokumenteve dyshohet se e ka sjellur një person i cili më pas ka kërkuar azil”, thuhet në raportin e policisë.
Me vendim të prokurorit, rasti është iniciuar “Kontrabandim me migrant”, dhe pas intervistimit e dyshuara është dërguar në mbajtje.
Rasti sipas policisë është duke u hetuar.