Katër ditë më parë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, më gjegjësisht Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi, ka kërkuar nga autoritetet serbe konfirmimin e identitetit të personit të vrarë në Serbi.
MPBJD-ja, në një përgjigje për Dukagjinin, ka thënë se deri më tani nuk ka “asnjë përgjigje nga autoritetet serbe lidhur me konfirmimin e identitet të personit të vrarë në Serbi më 19 korrik, në afërsi të Lloznicës.
“Ashtu siç ju kemi njoftuar dhe me parë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi ka kërkuar zyrtarisht nga autoritetet serbe konfirmimin e identitetit të personit të vrarë në Serbi. Nëpërmjet të njëjtës kërkesë zyrtare është kërkuar edhe lehtësimi i procedurave për kthimin e trupit të pajetë në Republikën e Kosovës dhe dorëzimi i tij tek familjarët”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.
Megjithëkëtë, deri më tani Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi nuk ka pranuar asnjë përgjigje nga autoritetet serbe.
“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi i ka dërguar notë sqaruese ambasadorëve të Misioneve Diplomatike të vendeve të Kuint-it të akredituara në Serbi nëpërmjet së cilës është theksuar fakti se përkundër kërkesës zyrtare drejtuar autoriteteve të Serbisë, ende nuk është kthyer asnjë përgjigje.” thuhet tutje.
MPJD-ja ka theksuar se ka komunikuar edhe me familjen e personit që raportohet si i vrarë dhe do të angazhohet gjatë gjithë procedurave deri në kthimin e trupit të viktimës në Republikën e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do t’ju mbajë të informuar sapo të ketë informacione të reja në lidhje me këtë rast.
Lexo edhe këtë: Kosova kërkon nga Serbia ta konfirmojnë identitetin e personit të vrarë
Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, ka thënë se është vrarë personi që në orët e para të së enjtes vrau një polic në Serbi.
Identiteti i personit të vrarë nuk është përmendur në komunikatën e lëshuar nga autoritetet serbe në pasditen e 19 korrikut.
Që nga 6 korriku, Faton Hajrizi, shtetas i Kosovës, kishte qenë në kërkim nga Policia e Kosovës, pasi ishte arratisur nga burgu i Smerkonicës në Vushtrri.
Hajrizi dyshohet se kishte udhëtuar nëpër Serbi me dokumentet e vëllait të tij, Artanit, të cilat janë gjetur në vendngjarje pas vrasjes së policit serb.