Një aksion i gjerë policor në Pejë ka rezultuar me arrestimin e disa zyrtarëve nga Njësia për Patentë Shoferë.
Sipas prokurores së rastit, Valbona Disha – Haxhosaj, deri tani janë arrestuar gjashtë persona, të cilët dy prej tyre janë duke u intervistuar dhe ende nuk është marrë ndonjë vendim për ta.
“Një person është liruar për shkak të gjendjes shëndetësore, dhe tre persona nuk janë gjetur në shtëpi, që sipas familjarëve janë në pushime verore”, ka thënë ajo.
Sipas saj, këta persona dyshohen se nga viti 2021 e në vazhdim kanë kryer veprën penale të mashtrimit me patentë shoferë.
“Aktualisht, të arrestuarit janë duke u intervistuar dhe ende nuk është marrë një vendim për ndalimin e tyre. Aksioni është kryer nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit dhe është shtrirë në Pejë, si dhe në komunat përreth si Deçan, Fushë Kosovë dhe Prishtinë”, ka deklaruar tutje Haxhosaj për Dukagjinin.
Prokurorja ka theksuar se, ndonëse arrestimet janë kryer kryesisht në Pejë, hetimet dhe operacionet janë të lidhura edhe me këto komuna të tjera.
Detajet e plota, sipas saj, do të bëhen të ditura pas përfundimit të hetimeve.
Policia kryen aksion në Pejë, arrestohen disa zyrtarë të Njësitit për Patentë Shoferë