Rinovimet te Klinika e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës [QKUK] janë përuruar sot. Ky rinovim përfshin vlerën prej 750 mijë eurosh. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ishin prezentë te përurimi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur 2024-tën vit të transformimit të shëndetësisë publike, duke njoftuar për rinovimin e Klinikës së Kardiokirurgjisë.
Kurti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, bëri të ditur se në Klinikën e Kardiokirurgjisë janë 9 shtretër më shumë, dhoma të kujdesit intensiv dhe salla operative me standarde të larta.
Sipas Kurtit, Kardiokirurgjia është ndër klinikat më të bukura të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (SHSKUK).
“Pas Klinikës së Urologjisë, radha i erdhi Klinikës së Kardiokirurgjisë. Me investimet e bëra, që i përuruam sot, ka 9 shtretër më shumë, dhoma të kujdesit intensiv dhe salla operative sipas standardeve më të larta, filtra për eliminimin e infeksioneve intrahospitalore, banjo e nyje sanitare moderne, hapësira të ripërtërira e të riorganizuara të sportelit dhe të pritjes, si dhe hapësirë të re për depo të barnave, arkiva dhe zyre për stafin shëndetësor. Ajo tash është në mesin e Klinikave më të bukura të ShSKUK-së. Ky vit, është vit i transformimit të shëndetësisë publike”, ka shtuar Kurti.
Ndërsa, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se sfidë ka qenë vendi për t’i vendosur pacientët në kohën sa është rinovuar kjo klinikë.
“Sot po e lansojmë edhe një klinikë me kushtet me moderne të mundshme, një klinikë si kjo kanë mundësi që t’i marrin shërbimet që nuk kanë mundur t’i marrin më herët. Sfida e vetme ka qenë ku t’i vendosin pacientët kur bëhen këto renovime. Në mënyrën më të mirë e kemi bërë zhvendosjen e pacientëve dhe nuk ka pasur mosndalje të shërbimeve. Të gjithë njerëzit vullnetmirë që kanë kontribuar në këtë renovim iu falënderojmë, iu garantojmë që të gjithë shërbimet do të kryhen në këtë klinikë”, u shpreh Vitia.
E këto investime u panë të mirëseardhura nga drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Shpejtim Shurdhiqi.
Ai tha se do të jetë lehtësim për stafin e për pacientët.
“Kemi arritur të bëjmë një ritransformim jashtëzakonisht të mirë të Kardiologjisë. Që nga hapja e tij në vitin 2013 ka pasur nevojë për një renovim, sigurisht që do të jetë një lehtësim i madh për stafin dhe sigurisht edhe për pacientët, dhe kjo aparaturë mundëson që të rriten numri i pacientëve dhe krijon mundësinë e kryerjes së operacioneve më komplekse, e cila ka një shpresë që brenda dy viteve vazhdojmë me procedura të tjera më specifike që ne i synojmë”, u shpreh ai.