Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mimoza Ahmetaj, e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, duke thënë se asnjëherë nuk ka mbrojtur interesat e vendit.
Kjo kritikë vjen pas vendimit të BE-së Këshillit të Bashkimit Evropian për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët serbë të Kosovës, vendim ky i cili sipas saj, e konfirmon se qeveria ka zero komunikim me partnerët dhe aleatët tanë ndërkombëtarë.
“Politika e gabuar kësaj qeverie, të cilat gjithmonë janë reaktive dhe asnjëherë aktive, nuk kanë arritur të mbrojnë në asnjë rast interesat e vendit tonë dhe as të shtyjnë përpara agjendën e shtetndërtimit dhe konsolidimit të shtetësisë së Kosovës. Qeveria nuk e ka kuptuar akoma se komentet e saj të vakëta brenda katër mureve në Prishtinë janë zë i shurdhër… më shumë sesa shkresa zyrtare serioze”, ka thënë ajo.
“Qeveria nuk ka insistuar sa duhet dhe as që ka bërë veprime konkrete apo takime me liderët të lartë, me zyrtarë të rëndësishëm në BE, për të sqaruar këtë situatë apo këtë vendim që cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës. Ky vendim i BE-së dhe kjo qasje e qeverisë rikonfirmon disa të vërteta të hidhura, e para që qeveria jonë është strugë në Prishtinë dhe ka zero komunikim me partnerët dhe aleatët tanë shumëvjeçar ndërkombëtar. E dyta, me qasjen e saj të papërgjegjshme të qeverisë fakt i pamohueshëm se Kosova është e izoluar, e përjashtuar dhe e anashkaluar nga të gjitha tavolinat vendimmarrëse për vendin dhe të ardhmen e vendit”, ka deklaruar ajo në konferencë për medie.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian e morën vendimin e lartpërmendur më 22 korrik.
Vendimi pritet të hyjë në fuqi ditën e 20-të pas botimit në Gazetën Zyrtare të BE-së.
Qeveria e Kosovës e ka kritikuar vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian, duke e akuzuar për mungesë konsultimesh dhe shkelje të sovranitetit të Kosovës.