Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, ka shprehur pakënaqësinë e saj lidhur me vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për mbajtësit e pasaportave serbe, të lëshuara nga autoritetet serbe – respektivisht nga Drejtoria Koordinuese Serbe – për qytetarët serbë të Kosovës.
Në një konferencë për media, Gërvalla e ka cilësuar këtë vendim si një hap të gabueshëm nga ana e BE-së, duke theksuar se përgjegjësia për këtë vendim qëndron te BE-ja e jo te Kosova.
Gërvalla ka theksuar se vendimi tregon se disa prej shteteve të BE-së nuk janë të interesuara për integrimin e minoriteteve. Sipas saj, ky vendim i çon drejt ndarjes së tyre.
“Ne nuk kemi hezituar në vazhdimësi të paralajmërojmë dhe të informojmë akterët e rëndësishëm në BE. Siç e shihni, ata kanë marrë një vendim, i cili sipas gjykimit tonë, jo vetëm që çon në rrugë të gabuar, por bën të kuptosh që disa akterë në BE nuk janë edhe aq të interesuar për integrim më të mirë të minoriteteve, të pakicave. Por punojnë në drejtim të një ndarje të tyre, ne mendojmë që kjo është rruga e gabuar”, ka thënë Gërvalla.
Ajo shtoi se Kosova nuk do të heshtë dhe nuk do të hezitojë të bëjë thirrje që hapa të tillë, të cilësuar si të gabuar, të mos përsëriten.
“Ne mendojmë që integrimi sa i më i shpejtë i të gjithë qytetarëve të Kosovës në strukturat legale, të pajisur me dokumente legale në të gjitha sferat të çon një një atmosferë më të mirë për ta dhe për të gjitha ne. Prandaj, ne nuk heshtim, nuk hezitojmë të bëjmë thirrje që hapa të tillë, të gabueshëm, sipas gjykimit tonë, të mos përsëritet. Duhet të jeni të ndërgjegjshëm që vendimet për BE-në i merr BE-ja dhe nuk o merr Kosova”, ka thënë Gërvalla në një konferencë për media.