Gjykata Kushtetuese e Bosnjës pezullon përkohësisht Ligjin për Zgjedhjet e Republikës Sërpska

Gjykata Kushtetuese e Bosnje-Hercegovinës ka pezulluar përkohësisht Ligjin për Zgjedhjet e Republikës Sërpska, që ishte miratuar nga Asambleja Kombëtare e këtij entiteti, deri në një vendim përfundimtar, për shkak se ky ligj mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën dhe mund të dëmtojë kompetencat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Flamujt e Bosnjës dhe Hercegovinës; Foto: Flickr

Gjykata Kushtetuese e Bosnje-Hercegovinës e ka pezulluar Ligjin për Zgjedhjet të Republikës Sërpska, njërin prej dy entiteteve në këtë vend.

Gjykata ka thënë në vendim se ky ligj, që është miratuar nga Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska, më 9 prill, është pezulluar përkohësisht, derisa të merret një vendim përfundimtar për të.

Vendimi është marrë pas kërkesës ndaj gjykatës për të vlerësuar nëse ligji është në përputhje me Kushtetutën e Bosnje-Hercegovinës.

Kërkesën e ka bërë Denis Zvizdiq, zëvendëskryetari i parë i Dhomës së Përfaqësuese të Parlamentit të Bosnjës.

Ligji për Zgjedhjet i Republikës Sërpska rregullon çështje që veçse janë të rregulluara me Ligjin për Zgjedhjet të Bosnje-Hercegovinës, dhe me këtë ligj, kompetencat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i transferohen Komisionit të entitetit, dhe kështu dispozitat e Ligjit për Zgjedhjet të Bosnjës, bëhen të pavlefshme, është thënë në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në vendim është thënë, po ashtu, se është e domosdoshme të gjendet një përgjigje nëse Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska, ka autoritet për të rregulluar çështje që veçse janë të rregulluara në nivel shtetëror.

Gjykata Kushtetuese e Bosnjës ka thënë se rregullimi i zgjedhjeve përbën një prej fushave kyçe për të garantuar zgjedhje të lira, të drejta dhe transparente, të cilat reflektojnë vullnetin e qytetarëve.

Zgjedhjet lokale në Bosnje-Hercegovinë janë planifikuar të mbahen më 6 tetor të këtij viti. / Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika