Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një të dyshuar për përfshirje në sulmin e 29 majit në Zveçan ndaj ushtarëve të KFOR-it.
Për të dyshuarin, me inicialet D.D., Prokuroria Speciale kishte ngritur kallëzim penal për pjesëmarrje në sulmin ndaj forcave ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë më 29 maj 2023, në veri, Zveçan.
Sipas njoftimit të Policisë, ai është arrestuar në Mitrovicë të Jugut.
“Sot me datë 24.07.2024, pas një pune hetimore dhe operative të ekipeve të Policisë së Kosovës është lokalizuar në rajonin e Mitrovicës Jug, i dyshuari me iniciale (D.D.) ndaj të cilit ishte ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Speciale, lidhur me rastin e sulmit ndaj autoriteteve/forcave ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë me datë 29.05.2023, i identifikuar si njëri ndër personat që ka përdor dhunë në mënyrë aktive në Zveçan”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Sipas njoftimit, ai dyshohet për veprat penale “bashkim për veprimtari kundër kushtetuese, me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “rrezikim i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” dhe “sulm ndaj personit zyrtar”.
Nga ana e policisë thuhet se të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
Më 29 maj, të lënduar kishin mbetur rreth 30 ushtarë të KFOR-it gjatë tentimeve për t’i shpërndarë protestuesit e grumbulluar pranë objektit komunal në Zveçan.