Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka publikuar artikullin e mediumit boshnjak “Slobodna Bosna”, ku dy medie online në Kosovë akuzohen se janë nën “kontroll” të Serbisë.
Analisti Ylli Hoxha ka theksuar se “transmetimi i lajmit të tillë ka për qëllim targetimin e dy mediave në Kosovë, pa marrë parasysh çfarëdo opinioni mund të kenë”, duke shtuar se “nuk guxon si medium publik ta bësh këtë përderisa nuk ke fakte, vetëm nga një medium boshnjak”.
Ai ka thënë se shkeljet e tilla duhet të kenë përgjigjen adekuate dhe ka kritikuar RTK-në për politizimin e saj.
Hoxha ka theksuar se VV-ja ka dështuar të tregojë forcën dhe përkushtimin e nevojshëm për të adresuar “problemet e trashëguara” nga qeveritë e kaluara.
“Çështja e RTK-së dhe politizimi i saj, unë pajtohem se ka një tejkalim të aspiratës për të cilën ka ardhur në pushtet VV-ja, ka pasur aspiratë për ta çkapur një situatë që nuk ka qenë e mirë në RTK, e cila ka humbur shikueshmërinë, ka humbur besueshmërinë, duke qenë gati një instrument politik i qeverive të kaluara, do të thotë kryesisht flitej për PDK-në që e ka kontrolluar në masë të madhe, dhe kjo e ka dëmtuar në masë të madhe”, ka deklaruar ai.