Policia e Kosovës ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme operacionale, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike.
Kjo pas paralajmërimit të protestës nga Organizata e Veteranëve të Luftës.
“Policia e Kosovës e njeh të drejtën e shprehjes së lirë, pakënaqësive (protestës) si e drejtë ligjore. Lidhur me këtë lajmërim, PK-ja ka filluar me kohë përgatitjen dhe ndërmarrjen e masave që kanë për qëllim mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë për qytetarët, mbrojtjen e pronës dhe ofrimin e sigurisë në trafik”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, të enjten e 16 qershorit, Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK), do të mbajnë protestë para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, për shkak të mospërfshirjes së tyre në beneficionet e ligjit për pagën minimale.
Mospërfshirja e kësaj kategorie në Projektligjin për Pagën Minimale, i ka revoltuar shumë duke i bërë të ndihen të diskriminuar.
Ky projektligj, të martën e 14 qershorit ka kaluar në shqyrtimin e parë në Kuvendin e Kosovës, me 68 vota për, asnjë votë kundër dhe 6 abstenime.
Gjatë seancës së 14 qershorit, pro këtij projektligji ishin 68 deputetë, përfshirë edhe Listën Serbe.
Partia Demokratike e Kosovës e kishte bojkotuar seancën, në të cilën u votua në parim i njëjti projektligj.
Ndonëse atë ditë veteranët nuk protestuan, përmes një njoftimi për media, OVL-UÇK njoftoi se të enjten do të protestojnë.