Copëza nga mozaiku i sukseseve të sopranos Adelina Paloja

Adelina Paloja, është një ndër sopranot më të sukseshme në Kosovë, e cila shpeshherë është pjesë e skenave muzikore edhe në Evropë. Ajo në një intervistë për Portalin D, ka ndarë disa nga dobitë më të mëdha që i ka ofruar skena, si nga ana emocionale, po ashtu edhe nga ana profesionale

Soprano Adelina Paloja

Kontakti i saj me muzikën filloi qysh në moshë të re, mësimet e para i mori për piano, për të vazhduar më vonë me këndimin profesional.

Sopranoja Adelina Paloja, ndan disa nga përvojat e saj dhe tregon veçantinë që ka të qenët pjesë e skenës për vite me radhë.

Në një intervistë për Portalin D, ajo ka treguar se cila është veçantia e profesionit të saj.

“Vetë bota e artit është e veçantë, në momentin kur ndodh kontakti i parë me këtë art hyjnor dhe prek emocionet që të dhuron ajo, atëherë nuk ka më kthim mbrapa dhe fokusi yt përqendrohet që të udhëtojmë në të padukshmen e të prekim zemra njerëzish. E unë përmes zërit aspiroj që të përmbush misionin e këtij arti fisnik”, është shprehur Paloja.

Sopranoja Paloja, është kudo me paraqitjet e saj, si në Kosovë por edhe jashtë vendit.

Por, a ka ndonjë vend që mund ta veçojë?

Sipas sopranos Paloja, secila skenë e ka peshën e vet, por një paraqitje të paharruar e bën audienca që ke përballë.

Adelina Paloja, Soprano

“Çdo skenë e ka peshën dhe rëndësinë e vet. Kam interpretuar në vende të ndryshme disa nga to si: Austri, Gjermani, Francë, Bullgari, Itali, Angli, etj. Shpesh e mendoj se çfarë e bën të paharruar një përformancë?”.

“E përgjigjen e kam marrë nga energjia e audiencës që kam përballë pavarësisht se ku je, dashurinë që e merr përkthehet në mënyrë automatike me përmbushje emocionale duke i dhënë dozën finale, atë më të bukurën, ngjyrosje emotive e frymëzuese interpretimit tënd skenik”, tha sopranoja.

Por, cila është rutina e përditshme e sopranos, pasi ajo gjithmonë në skenë prezantohet vetëm me produktin final (përformanca), ndërsa pjesa më e madhe e punës është ajo që bëhet me ditë, javë, muaj dhe vite në mënyrë sistematike për të arritur përformancë të mirë në momentin e parqitjes në skenë.

“Natyrisht se interpretimi në skenë është vetëm produkti final. Ushtrimet vokale teknike, regjimi në kujdes të shtuar për instrumentin bazë në këtë rast zërin, janë vetëm disa nga pikat e rutinës së përditshme, ngase para saj janë ditë, muaj e vite të tëra impenjimi e përgatitje muzikore deri në detajin e fundit në mënyrë që ato pak minuta, orë në skenë të jenë rezultat i suksesshëm e pasqyrë e një pune të rafinuar”, është shprehur Paloja.

Adelina Paloja

Skena, interpretimi, audienca, duartrokitjet janë vetëm disa nga elementet që i japin ngjyrë dhe motiv për punë një solisti kur ngjitet në skenë, por çfarë e sjell deri në këtë nivel një solokëngëtar dhe e bën atë të suksesshëm?

“Absolutisht, një solokëngëtare të suksesshme përveç talentit që është i padiskutueshëm, ashtu sikurse në çdo profesion tjetër, çelësi kryesor është puna sistematike, këmbëngulja e konsistenca për të qenë çdo ditë një hap para ditës që lëmë pas. Me asnjë çmim nuk duhet lejuar komoditeti i vetmendimit që je i arritur, dhe t’i lejosh vetes luksin e zonës së komfortit. Vetëkritika në këtë profesion kujtoj që është e shëndetshme dhe shërben për në ngritje e rritje të natyrshme”, tha sopranoja.

Por, artistët e rinj janë ata të cilët e kanë më të vështirë të afirmohen, ndërsa arsyen e tregon vetë Paloja.

“Besoj duhet të jemi të vetëdijshëm dhe empatik si shoqëri kur flasim për kushtet që ju ofrohen kuadrove të reja. Krahas faktit që kemi këngëtarë të rinj, lirikë të shkëlqyer, e vështirë po është spikatja dhe dhënia e hapësirës për të dëshmuar talentin e të arriturat e tyre. Institucionet në këtë plan, do të duhej, besoj, të kenë më shumë angazhim në politika për ndihmë dhe promovim më prezent të artistëve të rinj”, vlerëson ajo.

Adelina Paloja

Por, cila është këshilla e sopranos për artistët e rinj?

Sipas saj, duhet pasion dhe besim në kapacitet e veta.

“E kam thënë gjithmonë dhe po e ritheksoj, pavarësisht rrethanave duhet pasion, besim në kapacitet e veta, ambicie të shëndoshë të ngritjes dhe perfeksionimit të kualiteteve muzikore që posedojnë, por dhe jashtë saj siç është leximi, hapja e një horizonti tjetër i kompletimit intelektual të domosdoshëm. Jam ithtare e punës dhe pa pardon në faktin që me një angazhim minimal të kemi pritshmëri të larta”.

“Besoj në meritokraci, dhe mendoj që te të mirët ndoshta suksesi vërtet vonon, por padiskutueshëm që në një moment të mos vijë në shprehje. E tek atëherë vjen vështirësia më e madhe, mbajta e suksesit me përfshirje edhe me të madhe të të gjithë kapacitetit emocional, profesional, e intelektual, sepse zgjerimi i diapazonit të njohurive nuk përfundon me një diplomë a letër tjetër arritjeje. Rritja organike vjen çdo ditë të jetës sonë”, është shprehu Paloja.

Adelina Paloja, gjatë përformancës

Sot e njohim më shumë si një solokëngëtare, por rrugëtimin në muzikë e nisi pikërisht me piano.

“Unë kam filluar rrugëtimin tim muzikor pikërisht me lojën në piano, tash e para gati 27 vjetësh. Është dashuri e pastër që, ndonëse ndonjëherë pa vullnetin tim, por, për shkak të impenjimeve të tjera distancohemi prapë, i rikthehem edhe më afër dhe e kompleton më së miri mozaikun tim si artiste. Unë kam investuar dhe kam pasur qëllim përherë kompletimin tim si muziktare përfshirë këtu, përveç njohurive të tjera të thella mbi fushën e muzikës, edhe njohjen virtuoze të instrumentit”, tha ajo.

Këndimi, pianoja dhe studimet kanë bërë që Paloja të ushtrojë edhe profesionin e ligjerueses në Fakultetin e Arteve. Skena dhe publiku padyshim që kanë energjinë e vet, por, kur bëhet fjalë për punën me studentët, ajo ka diçka për të thënë për Portali D.

“Një nxënës, një pedagog i mirë, një libër e një laps, mund të ndryshojnë ‘botën’, vërtetë se kjo thënie e tregon më së miri peshën e arsimimit. Jam me fat që gjatë edukimit dhe rrugës në profesion kam pasur afër pedagogë e udhërrëfyes të shkëlqyeshëm e që janë pjesë e përjetshme e arritjeve të mia dhe e falënderimit tim”.

“Sot ligjëroj në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, ‘Hasan Prishtina’ dhe në Universitetin ‘Haxhi Zeka’ në Pejë. Por, edhe sot kur jam vetë në cilësinë e pedagoges mundohem që me gjithë kapacitetin tim intelektual e njerëzor të përcjell te artistët e rinj virtytin e shembullin se vetëm me punë, devotshmëri e pasion për profesionin, arrihet rezultati i aspiruar”, është shprehur muziktarja.

Adelina Paloja

Pianiste, solokëngëtare dhe ligjëruse, janë tri epitetet që e shoqërojnë çdo ditë Palojën, por cilën nga to e veçon ajo?

“Në një introspekcion që në fund të ditës mund të bëjmë, jam e lumtur të them se meqë të trija janë në sintezë me njëra-tjetrën, unë ndihem vërtetë e përmbushur. Jam afër atyre që dua më shumë, studentëve, muzikës, publikut e edhe të atyre që ndoshta arti si urëlidhëse na bën që edhe të më inspirojnë e ndoshta edhe unë të frymëzohem nga ta”.

“Marr motiv nga përditshmëria e gjërat e vogla, që shpeshherë janë më me vlerë, që më pasurojnë si njëri, e njerëzoren ta shpalos pastaj përmes artit tim, zërit, si burim shprehës shpirtëror”, përfundon anëtarja e Korit të Filarmonisë së Kosovës me të cilin paraqitet rregullisht në koncertet e organizuara nga ky institucion.

Adelina Paloja, gjatë interpretimit në 𝐊𝐨𝐧𝐜𝐞𝐫𝐭𝐢 𝐕𝐨𝐤𝐚𝐥 – 𝐒𝐢𝐦𝐟𝐨𝐧𝐢𝐤 ,Tiranë qershor 2022

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika