Dy vetura të Komunës së Zveçanit janë djegur nga persona ende të panjohur në orët e para të së premtes, ndërsa përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar.
Lajmin për Dukagjinin e ka konfirmuar u.d. së drejtorit policor për rajonin verior, Veton Elshani, i cili ka thënë se dyshohet se rasti ka të bëjë me zjarrvënie.
“Sot në mëngjes rreth orës 01:40 janë djegur dy vetura të komunës së Zveçanit, të cilat kanë qenë në parkingun e komunës. Përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar, ndërsa policia ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe është duke zhvilluar hetimet”, ka thënë Elshani, për Dukagjinin.
Sipas tij, Policia është duke punuar në zbardhjen e rastit.