Zyrtarët e Doganës së Kosovës dhe Administratës Tatimore të Kosovës kanë kryer një operacion të përbashkët kontrolli në pesë argjendari në qytetin e Prizrenit, ku kanë konfiskuar ari dhe argjend, të cilët ishin pa dokumentacion të rregullt.
“Rezultatet e operacionit si në vijim:10 kg ari pa dokumentacion të rregullt. 3 kg argjendë pa dokumentacion të rregullt”, thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet se vlera totale e këtyre mallrave të konfiskuara arrin rreth 450,000.00 euro.
Gjithashtu, sipas njoftimit, kontrollet u kryen në disa lokacione të ndryshme brenda qytetit të Prizrenit.
“Zbulimi i këtyre mallrave u bë falë punës së palodhur dhe përkushtimit të zyrtarëve të Doganës dhe Administratës Tatimore. Dyshohet se këto mallra janë kontrabanduar. Ne u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë vigjilentë dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë që mund të ndihmojë në luftën kundër kontrabandës dhe aktiviteteve të paligjshme”, thuhet në njoftim.
Sipas doganës, ky operacion u fokusua në identifikimin e mallrave pa prejardhje të dokumentuar në kuadër të përpjekjeve për të luftuar kontrabandën dhe tregtinë e paligjshme.
Pamjet e aksionit janë publikuar edhe nga Dogana e Kosovës.