Veteranët e parë tashmë kanë arritur para objektit të Kuvendit të Kosovës, për të protestuar.
Ata janë mbledhur për të shprehur kundërshtimin e tyre në lidhje me miratimin e Projektligjit për rritjen e pagës minimale, por që lë jashtë rritjes pensionet e tyre.
Njësia Speciale e Kosovës tashmë ka rrethuar oborrin e Kuvendit të Kosovës, për të siguruar atë pjesë, për shkak të protestës së paralajmëruar të veteranëve të luftës.
Forca të shtuara të Policisë janë parë edhe rreth objektit të qeverisë, në pjesën ku hyjnë deputetët.
Dhjetëra pjesëtarë të njësive speciale të Policisë po presin protestën e paralajmëruar nga veteranët e UÇK-së.
Gjatë seancës plenare, me 68 vota për, asnjë votë kundër dhe 6 abstenime, është votuar në parim projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.
I vetmi deputet i partisë në pushtet që votoi kundër ishte deputeti Fatmir Humolli, i cili edhe e lëshoi sallën pas votimit në parim të projektligjit.
Pro kishin votuar edhe Lista Serbe, të cilët pas votimit edhe ata e lëshuan sallën.
Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës e ka bojkotuar këtë seancë me arsyetimin se po u bëhet e padrejtë veteranëve.