Festivali Multikulturor është një ngjarje tradicionale e organizuar nga OJQ “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians”.
Ky festival mbahet në Prishtinë dhe se qëllimi i tij është ngritja e vetëdijes, promovimi i diversitetit, ndërgjegjësimi për identitetin kulturor të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian, ofrimi i hapësirës dhe promovimi i artistëve të rinjë e po ashtu edhe fuqizimi i rolit të gruas në shoqëri duke ofruar mundësi të barabarta për të gjithë.
“Qëllimi kryesor i Festivalit Multikulturor është thyerja e ciklit të përjashtimit të romve, ashkalive dhe egjiptianëve, përmes promovimit të identitetit të tyre, fuqisë së tyre dhe vullnetit të fortë për të qenë të barabartë, si gjithë të tjerët”.
Ky festival do të zgjasë dy ditë, më 17 dhe 18 qershor dhe do të filloj prej orës 11:00 e do të vazhdojë deri në orët e mbrëmjes, tek Parku i Qytetit në Prishtinë.
Gjatë edicioneve të mëparshme, festivali ka pritur mbi 5 mijë pjesëmarrës, të cilët patën mundësinë të dëgjojnë dhe të mësojnë nga ekspertët e fushës për identitetin romë, ashkali dhe egjiptian, përfshirë këtu edhe shumë tema tjera të cilat zgjuan interes të veçantë.
Në fakt ky festival ishte çelësi në ringjalljen e zemrës kulturore, artistike e mbi të gjitha në inkurajimin e njerëzve, që të mendojnë përtej limiteve të tyre të deritanishme.
Paradë plot ngjyra, paraqitje e trashëgimisë e kulturore përmes veshjeve të tyre tradicionale, prezantimi i veprave artizanale, ushqimeve, koleksioneve, veshjeve, arteve dhe shërbimeve të veçanta nga e gjithë Kosova, janë disa nga aktivitetet me të cilat do të shënohet festivali i këtij viti.