FBI-ja ka bërë të ditur të premten se ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vërtetë ishte goditur nga një plumb në vesh.
Me këtë deklaratë FBI-ja ka hequr gjitha polemikat për shkaqet e lëndimit të Trumpit gjatë atentatit më 13 korrik të këtij viti në një tubim në Butler të Pennsylvanias, raporton Reuters.
Në sulm kishte mbetur i vdekur një person dhe u lënduan dy të tjerë. Po ashtu u qëllua për vdekje edhe atentatori.
“Ajo që e qëlloi ish-presidentin Trump në vesh ishte një plumb, pavarësisht nëse ishte i plotë apo ishte një copë e plumbit”, ka thënë FBI-ja.
FBI-ja ka theksuar se plumbi ishte i armës së atentatorit.