Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka shprehur keqardhjen për dorëheqjen e homologes së tij, Lindita Nikollës nga pozita e saj si kryetare e Kuvendit të Shqipërisë.
Kryeparlamentari Konjufca ka thënë se bashkëpunimi i shkëlqyer me të do të shërbejë si referencë e një kriteri shumë të lartë të vendosur në lidhje me raportet institucionale, i cili sipas tij vetëm do të rritet dhe thellohet më shumë.
“Si nga pikëpamja njerëzore e miqësore, ashtu edhe nga pikëpamja institucionale, shpreh keqardhje të thellë për dorëheqjen e papritur të znj. Lindita Nikolla nga funksioni i saj i Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë. Bashkëpunimi ynë i shkëlqyer do të shërbejë si referencë e një kriteri shumë të lartë të vendosur në lidhje me raportet tona institucionale. Ky kriter nuk do të mund të kthehet më pas, por vetëm të rritet dhe thellohet më shumë”, ka shkruar Konjufca.
Tutje Konjufca ka thënë se përvoja, komunikimi, profesionalizmi dhe korrektësia e Nikollës ishin të dhëna të rëndësishme të cilat mundësuan një thellim të raporteve ashtu “siç i ka hije institucioneve tona legjislative të dy shteteve tona vëllazërore”.
“Përvoja, komunikimi, profesionalizmi dhe korrektësia e znj. Lindita Nikolla ishin të dhëna të rëndësishme të cilat na mundësuan një thellim të raporteve tona, ashtu siç i ka hije institucioneve tona legjislative të dy shteteve tona vëllazërore. Gjatë përpjekjeve tona të përbashkëta arritëm të organizojmë për herë të parë seancën e përbashkët mes parlamenteve tona, u rrit në mënyrë të shkëlqyeshme puna mes komisioneve parlamentare, e ngushtuam edhe më tej largësinë mes nesh përmes organizimeve të përbashkëta sportive dhe kulturore, patëm në nivel të lartë gatishmërinë për bashkëpunim shembullor në aspektet honorifike dhe solemne, ashtu siç edhe në ato të frymës së harmonizimit të kornizës legjislative në dobi të popullit tonë dhe qytetarëve tanë”, ka theksuar Konjufca.
Konjufca Nikollës i ka uruar suksese në angazhimet e mëtutjeshme dhe e ka falënderuar për bashkëpunimin siç e quan ai të pakursyer.
“Homologes, mikes, motrës sime të dashur Lindita Nikolla, i uroj nga zemra shëndet dhe suksese në angazhimet e saj të mëpasshme, të cilat jam i bindur se do t’i vijojë me profesionalizëm të lartë dhe i uroj shëndet të plotë. Jam i lumtur që pata mundësinë të punoj me znj. Nikolla dhe dua ta falënderoj që me punën dhe qasjen e saj vendosi një obligim të domosdoshëm për çdo kryetar kuvendi të ardhshëm në vendet tona, atë të bashkëpunimit të pakursyer, me dashamirësi, mirëbesim dhe angazhim maksimal”.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, dha dorëheqje të premten nga kjo detyrë, në seancën e fundit për këtë sesion parlamentar.
Në fjalën e saj para deputetëve, ajo tha se vendimin e mori për shkaqe shëndetësore.
“Këtu, sot, mbyllet shërbimi im trevjeçar në krye të Kuvendit, si rezultat i një situate personale shëndetësore, e cila ma bën të pamundur ta kryej detyrën e lartë të funksionarit të dytë të shtetit, me angazhimin kërkues që kjo detyrë kërkon”, tha Nikolla.
Ajo kërkoi nga deputetët që largimi i saj të mos spekulohet politikisht dhe e cilësoi vendimin si të padëshiruar, por të pashmangshëm.
Mes tjerash, Nikolla tha se është përpjekur të bëjë më të mirën për të siguruar mbarëvajtjen e punës së Parlamentit, dhe kërkoi ndjesë nëse ka gabuar, siç tha ajo, pa dashje në ndonjë rast.
Në shkurt të vitit të kaluar, opozita kërkoi shkarkimin e saj, me pretendimin se “ka shkelur Rregulloren e Kuvendit, ka minuar parlamentarizmin dhe funksionimin demokratik të Kuvendit.”
Duke iu referuar këtyre akuzave të opozitës, Nikolla tha se sulmet ndaj saj kanë qenë të pamerituara.
Lindita Nikolla u zgjodh kryetare e Kuvendit të Shqipërisë më 10 shtator të vitit 2021.
Ajo ka mbajtur postin e ministres së Arsimit nga shtatori i vitit 2013 deri në tetor të vitit 2018.