Dje një qytetar nga Kosova ka humbur jetën në vendin e quajtur “Maja e Thatë” në Valbonë.
Këtë e ka konfirmuar Policia e Shtetit.
Alpinisti nga Kosova është rrëzuar në një terren shumë të thepisur dhe shkëmbor.
Sipas Policisë, është kërkuar ndërhyrja e helikopterit të Ministrisë së Mbrojtjes për ta lokalizuar dhe nxjerrë trupin.
Njoftimi i plotë:
Më datë 26.07.2024, rreth orës 17:10, Salla Operative e Komisariatit të Policisë Tropojë ka marrë njoftim se 1 shtetas kosovar, në vendin e quajtur “Maja e Thatë”, Valbonë, dyshohet se për shkak të terrenit të thepisur malor, ka rënë nga një lartësi dhe dyshohet se ka humbur jetën.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, janë nisur drejt adresës së dhënë, së bashku me grupin e Emergjencave Civile të Tropojës.
Për shkak të terrenit të thepisur malor është kërkuar ndërhyrja me helikopterin e Ministrisë së Mbrojtjes, për të lokalizuar dhe nxjerrë trupin e pajetë të shtetasit kosovar nga zona ku ka rënë.
Ndërkaq tre persona të tjerë me ndihmën e autoriteteve të Kosovës dhe Shqipërisë kanë zbritur shëndoshë nga lartësia.
Për shkak të terrenit të vështirë malor edhe viktima pritet të zbritet gjatë ditës, nga autoritetet e kërkim-shpëtimit malor.