Garuesja e parë nga Kosova që do të paraqitet në Lojërat Olimpike është boksierja Donjeta Sadiku e cila sonte (27 korrik) zhvillon meçin e saj në kërkim të medaljes olimpike.
Sadiku para ndeshjes ka marrë mbështetjen e presidentes Vjosa Osmani.
Osmani përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Sadiku përmes goditjes i ka treguar botës fuqinë e qëndresës dhe guximit, andaj ajo shpreson se edhe sonte Sadiku do të triumfoj.
“Në çdo goditje ajo i tregoi botës fuqinë e qëndresës dhe guximit. Jam e bindur se kështu do të vazhdojë edhe sonte, teksa Donjeta Sadiku fillon garat në lojërat olimpike në Paris. Forca Donjetë! E gjithë Kosova është me ty!”, ka shkruar presidentja Osmani.
Pengesa e parë e Donjeta Sadikut në ‘Paris 2024’ do të jetë boksierja nga Tajlanda, Thananya Somunek me meçin i cili i takon kategorisë deri në 60 kilogramë.
Në rast se Sadiku arrin ta kalojë me sukses kundërshtaren Somnuek, atëherë ajo do të kishte përballë boksieren kolumbiane Angie Paola Valdes Pana, ndërsa në një çerekfinale potenciale do të boksonte ndaj Kellie Harrington nga Irlanda.
Sadiku në ‘Paris 2024’ është me normë olimpike dhe nga nëntë garues sa e përfaqësojnë Kosovën gjithsej, ajo do ta nis e para.
Kjo nuk është hera e parë për Sadikun që paraqitet në Lojërat Olimpike, pasi që ajo kishte qenë pjesëmarrëse edhe në ‘Tokio 2020’ me ftesë të universalitetit.
Sukseset për Sadikun nuk janë diçka e re, pasi ajo ka fituar paraprakisht dy medalje të bronzta në evropian dhe botëror, ndërsa synimi i saj është që edhe në këtë edicion të Lojërave Olimpike ta fitojë një tjetër medalje.
Kujtojmë se meçi mes Sadikut dhe Somnuek do të nis me fillim nga ora 21:00 dhe Telegrafi do t’iu mbajë të informuar rreth kësaj ngjarje.