Avokatët në Kosovë dhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, nuk besojnë se autoritetet e Maqedonisë së Veriut do ta ekstradojnë në Serbi ish-ushtarin e UÇK-së, Blerim Ramadanin.
Ramadani është arrestuar nga Policia e Maqedonisë së Veriut më 17 korrik, në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Serbia.
Ndaj të njëjtit menjëherë të nesërmen është caktuar masa e paraburgimit ekstradues prej 30 ditësh me vendim të Gjykatës Themelore në Shkup.
Por, avokati Arbër Jahari deklaron për KosovaPress se Maqedonia e Veriut e ka të qartë që përndjekja që po u bëhet ish-ushtarëve të UÇK-së nga Serbia është me dosje të sajuara.
Dhe, thotë se nuk beson që gjykatat në Maqedoni do të vendosin pro ekstradimit të Ramadanit në Serbi.
“Unë nuk besoj që gjykatat në Maqedoni e kam fjalën gjykatat në të gjitha instancat do të vendosin pro ekstradimit të tij në Serbi. Kjo për arsye se besoj se shteti i Maqedonisë së Veriut e ka shumë të qartë që përndjekja që po i bën Serbia ish-ushtarëve të UÇK-së, është e motivuar politikisht me dosje të sajuara dhe nuk besoj që Serbia ka prova pë rta ndjekur penalisht ndonnjë ish-ushtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Thjesht për të është kriminel vetëm e vetëm se ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nuk besoj që në dosjen e tij ka prova bindëse që ai pjestar ka bërë krime lufte siç pretendon Serbia” ka thënë ai.
Por, deklaron se edhe nëse Gjykata vendos pro ekstradimit të Ramadanit, atëherë sipas Jasharit asnjë ministër i Maqedonisë së Veriut nuk do ta nënshkruajë një vendim të tillë.
“Edhe nëse sistemi gjyqësor, edhe nëse gjykatat vendosin po e them kushtimisht çmenden që ta kthejnë ose ekstradojnë shtetasin e Kosovës Blerim Ramadanin në Serbi atëherë është ministri që e merr vendimin si instanca e fundit, pra ëshë ministri i Drejtësisë dhe duke e njohur Maqedoniën, raportet që Kosova i ka me Maqedoninë, duke i njoftë rrethanat atje, ndikimin e faktorit shqiptar dhe shumë rrethana tjera unë besoj që asnjë ministër i Drejtësisë në Maqedoni nuk e ka guximin me nënshkru që me ia dorëzu Serbisë një shtetas të Kosovës gjëja për krime lufte me dosje të sajuara, ka shtuar ai për KosovaPress.
Në anën tjetër institucionet e Kosovës janë duke kërkuar lirimin e tij.
Madje, Ministria e Punëve të Jashtme, ka bërë të ditur se Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup është angazhuar me ekip të ekspertëve juridik për lirimin sa më të shpejtë të Blerim Ramadanit dhe kthimin e tij në familje.
Nga ky dikaster kanë njoftuar se institucionet e Kosovës do të përdorin të gjitha kanalet diplomatike për të siguruar lirimin e shtetasit tonë.
Por, avokati Jashari deklaron për KosovaPress se Kosova nuk mund ta kërkojë ekstradimin e Blerim Ramadanit, përderisa nuk ka ndonjë çështje penale të ngritur ndaj tij.
“Ajo që mund të them është që Kosova nuk mund të kërkojë ekstradimin e tij përderisa nuk ka ndonjë çështje penale kundër tij të hapur në Kosovë ose një çështje tjetër që është në zhvillim e siper thjesht të që të kërkohet ekstradimi ai duhet të jetë i ndjekur nga organet e Kosovës, duhet të jetë i shpallur në kërkim ndërkombëtar përderisa nuk ka një çështje të tillë, Kosova nuk ka ndonjë bazë ligjore të kërkojë ekstradimin e tij në Kosovë”, është shprehur Jashari.
Kurse, nënkryetari i Degës së OVL UÇK-së, dega në Ferizaj, Luan Jahiri përmes një përgjigje me shkrim thotë se ajo që ka ndodhur më ish -ushtarin e UÇK-së, Blerim Ramadanin është shqetësuese.
Por, thotë se besojnë se Ramadani do të lirohet dhe nuk do të ekstradohet në Serbi.
“Ne si OVL UÇK që nga dita e parë e kemi parë shumë shqetësuese arrestimin e Blerimit, përkundër se në ditën e parë kemi pas bindje që do të lirohet, ashtu ak qenë bindja për shkak të sjelljeve të prokurorit që ka qenë në Tetovë sepse ka qenë shqiptar dhe kemi prit lirimin e tij, por të nesërmën Gjykata e Apelit të Maqedonisë ka marrë rastine tij dhe i ka caktuar msën prej 30 ditë paraburgim. Është vërtetë shqetësuese, por besojmë dhe uroj që Blerimi të lirohet dhe nuk do të ekstradohet, absolut besoj fuqishëm për shkak të rrethanave të ndryshme që mund të shkaktohen pas asaj nëse ndodhë ekstradimi”, ka thënë Jahiri për KosovaPress.
Më 25 korrik në Ferizaj, u mbajt një protestë gjithëpopullore me moton “Liri për çlirimtarin”, në mbështetje të bashkëluftëtarit nga Ferizaj, Blerim Ramadani.
Protesta ishte organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare, dega në Ferizaj së bashku me familjarë të dëshmorëve të kombit, invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deputetë, ish-eprorë të lartë të UÇK-së dhe qytetarë.
Blerim Ramadani është ndaluar më 17 korrik 2024 në pikëkalimin kufitar Jazhincë, bazuar në një fletë arrest të lëshuar nga Gjykata e Beogradit, përmes INTERPOL Serbia, me pretendimin për krime lufte në verën e vitit 1999 në rajonin e Nerodimës./KosovaPress