Veteranët të cilët janë duke protestuar para Kuvendit të Kosovës, kanë thyer kordonin e policisë dhe kanë depërtuar në oborrin e Kuvendit.
Sipas sekretarit organizativ të OVL-së së UÇK-së, Faton Klinaku, ka pasur provokime nga disa persona në dritaret e Kuvendit të Kosovës.
Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës janë barrikaduar për t’i penguar protestuesit të futen në Kuvend.
Gjithashtu, është dëgjuar një krismë në momentin e hyrjes së veteranëve në oborrin e Kuvendit, për të cilën nuk dihet se çfarë ishte.
Nën brohoritjet “UÇK” dhe “Duam të drejtat tona”, veteranët po protestojnë në shenjë pakënaqësie për mospërfshirjen e tyre në Ligjin për pagën minimale.
“Duam të drejtat tona”, “Marre”, “UÇK”, janë disa nga brohoritjet e protestuesve.
Klinaku, në fillimin e protestës së veteranëve të luftës, ka lutur Policinë e Kosovës që të qëndrojë e qetë.
“Ne nuk kemi punë me policinë, por me qeveritarët”, ka shtuar ai.
“Ju kisha lutur që të jeni të qetë se ne nuk kemi punë me policinë, sepse policia është e jona. Ne kemi punë me qeveritarët deputetë që e kanë shkelur Kushtetutën”, ka thënë Klinaku, duke shtuar se çdo herë kur ka seanca, ata do të jenë para Kuvendit.
Organizuesit e kësaj proteste kanë kërkuar të protestohet qetësisht. Ata janë mbledhur për të shprehur kundërshtimin e tyre në lidhje me miratimin e Projektligjit për rritjen e pagës minimale, por që lë jashtë rritjes pensionet e tyre.
Me pankartë në duar për raportin e Dick Marty-t, veteranët brohorisin “UÇK”