Kastrati kritikon ashpër VV-në: Jashtëligjshëm e kanë zgjedhur kryesuesen e Komisionit hetimor për tekstet shkollore

Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për zgjedhjen e jashtëligjshme të kryesueses dhe zëvendës kryesueses së Komisionit Hetimor për tekstet shkollore

Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ardian Kastrati, ka akuzuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (VV) për zgjedhjen e jashtëligjshme të kryesueses dhe zëvendës kryesueses së Komisionit Hetimor për tekstet shkollore. Sipas Kastratit, këto pozita duhet të emërohen me votë nga Kuvendi dhe jo nga vetë anëtarët e komisionit.

Në një postim në Facebook, Kastrati theksoi se veprimet e deputetëve të VV-së përbëjnë një “vjedhje” të mandatit të komisionit, duke e krahasuar këtë veprim me kalimin e Ligjit për Tekstet Shkollore në mungesë kuorumi.

Ai shtoi se komisioni kishte planifikuar të vazhdonte punën pas pushimeve, siç ishte njoftuar nga kryetari i komisionit, Shemsedin Dreshaj, për shkak të mungesës së kuorumit.

“Komisioni hetimor njëpartiak i DEONA MIHAJLAVE! Edhe pas dërgimit të emailit nga kryetari i komisionit hetimor Shemsedin Dreshaj se për shkak të mungesës së kuorumit komisioni vazhdon punën pas pushimeve, sot deputetët e VV-së kanë shkuar në kuvend dhe e kanë zgjedhur jashtëligjshëm kryesuesën e tyre të komisionit  DUKE E VJEDHUR kështu mandatin e kryesuesit dhe të zëvendës kryesuesit të komisionit hetimor.

Kryesuesi, zëvendës kryesuesi dhe anëtarët e komisionit i emëron me votë VETËM KUVENDI , siç na ka emëruar edhe neve. A është kjo befasi? Jo aspak.

Këta janë të njëjtit që me vota të VJEDHURA ( në mungesë kuorumi) kanë kaluar Ligjin për Tekstet Shkollore, kështu që vjedhja sot e mandatit të kryesuesit të Komisionit nuk është befasi. Vetëm në kohën e Millosheviqit kemi parë veprime të ngjashme kur merrej e suspendohej mandati dhe kompetencat e deputetit në këtë mënyrë”, ka shkruar Kastrati në Facebook.

Sipas Kastratit, këto veprime janë pjesë e një strategjie të VV-së për të zhvendosur vëmendjen nga hetimi për shpenzimet prej 11 milionë eurosh nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, për tekstet shkollore.

Kastrati ka cituar Ligjin për Hetimin Parlamentar, duke theksuar se kryesuesi i komisionit duhet të emërohet nga Kuvendi dhe të mos jetë pjesë e grupit parlamentar që ka iniciuar komisionin, as të partisë së koalicionit qeverisës.

Ai kërkoi që Prokuroria Speciale të hetojë këtë çështje dhe tërësinë e procesit të shpërndarjes së teksteve shkollore.

“Me këtë lëvizje këta qëllimin e kanë me zhvendos vëmendjen nga HETIMI I NAGAVCIT PËR SHPENZIMIN 11 MILIONËSH për tekstet shkollore.

Nuk do të zhvendoset vëmendja. Ne do të vazhdojmë intervistimin e dëshmitarëve sipas njoftimit të kryesuesit z.Dreshaj, ndërsa ky intervistim sot është i jashtëligjshëm. Ky është intervistim njëpartiak i DEONA MIHAJLAVE!
Sipas Ligjit në Fuqi për Hetimin Parlamentar neni 10 :’kryesuesi i komisionit emërohet nga kuvendi….nga radhët e grupi parlamentar që nuk është iniciator i themelimit të komisionit dhe NUK I PËRKET PARTISË SË KOALICIONIT QEVERISËS. Zëvendës kryesuesi emërohet nga kuvendi me propozim të iniciatorit ose grupit iniciator të Komisionit’.
Kjo sot është shkelje e ligjit, shkelje e vendimit të kuvendit për themelimin e këtij komisioni dhe duhet të hetohet nga prokuroria speciale ashtu siç duhet të hetohet krejt procesi i dyshimt 11 MILIONËSH i shpërndarjes së teksteve shkollore nga MASHT.
Tashmë u mësuam me ta, kështu që nuk kemi nevojë të themi sa marre është kjo, sepse këta veç marre nuk kanë! Hajnat në burg!”, ka shtuar Kastrati.

 

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika