Pak para fillimit të seancës të së enjtes në Kuvendin e Kosovës, e cila ishte paraparë të fillonte në ora 10:00, protesta e veteranëve të luftës ka eskaluar.
Në atë që ishte paralajmëruar të ishte një protestë e qetë, një shpërthim është dëgjuar gjatë eskalimit të protestës.
Protesta e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, (OVL-UÇK), ka filluar me brohoritjet e veteranëve të luftës, të cilët thonë se duan të drejtat e tyre.
Ndërsa, tani protestuesit kanë filluar të hyjnë në oborrin e Kuvendit të Kosovës.
Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës janë barrikaduar për t’i penguar protestuesit të futen në Kuvend.
Gjithashtu, janë dëgjuar edhe disa mjete shpërthyese në momentin e hyrjes së veteranëve në oborrin e Kuvendit.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-së së UÇK-së, Faton Klinaku, së bashku me qindra veteranë kanë nisur protestën para Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës.
“Duam të drejtat tona”, “Marre”, “UÇK”, janë disa nga brohoritjet e protestuesve.