Një grua është arrestuar në Prishtinë nën dyshimin se ka mashtruar disa persona për terminë për viza punë në Gjermani.
Siç ka njoftuar Policia e Kosovës, ajo dyshohet se e ka kryer veprën penale “mashtrim” nga viti 2023 deri tani.
“Rr. ‘Azem Jashanica’, Prishtinë 2023-2024, NN. Lidhur me rastin është identifikuar dhe arrestuar e dyshuara femër kosovare, pasi e njëjta kishte ushtruar aktivitet pa leje pune dhe e njëjta i kishte mashtruar disa persona për sigurim të termineve për viza pune në Gjermani”, thuhet në raportin 24-orësh të PK-së.
Sipas njoftimit, në konsultim me prokurorin është verifikuar dokumentacioni në zyrën e të dyshuarës.
Po ashtu, në zyrën e saj janë sekuestruar dhjetëra pasaporta me dokumente përcjellëse, dy telefona, një shtëpizë kompjuterike, para të gatshme, si dhe dëshmi të tjera përmes së cilave dokumentohet aktiviteti i kundërligjshëm.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, e dyshuara është dërguar në mbajtje.