Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pasi fitoi medaljen e bronztë xhudistja Laura Fazliu në Lojërat Olimpike që po mbahen në Paris.
Kurti ka theksuar se arritja e Fazliut është një moment krenarie për Kosovën, duke e përshkruar atë si një sukses të madh për sportin kosovar.
“Krenaria olimpike në Paris vazhdon me Laurën nga Mitrovica! Në debutimin e saj në Lojërat Olimpike, Laura Fazliu ia siguroi Kosovës medaljen e bronztë duke e mposhtur në ndeshjen për vend të tretë kroaten Katarina Kristo.
Kjo është medalja e pestë olimpike në histori të Kosovës me ekipin e xhudistëve të kryemjeshtrit Driton Kuka, e dyta në Paris dhe e para për Majlinda Kelmendin si trajnere. Për më shumë, kjo është edhe medalja e parë olimpike nga qyteti i Mitrovicës. Kosova edhe njëherë dëshmoi se është shtet i xhudos. Faleminderit Laura për gëzimin e pamasë”, ka shkruar Kurti në Facebook.