Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, teksa po merr pjesë në protestën e veteranëve të luftës në oborrin e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se mospërfillja e qeverisë ndaj veteranëve është një luftë ndaj këtyre të fundit.
Ai ka deklaruar se është vetëm pjesëmarrës në protestë dhe jo drejtues i saj.
Kërkesat e veteranëve, për Molliqajn janë jo vetëm të drejta por edhe të domosdoshme.
“Ky nuk është diskriminim as shkelje e të drejtave, është luftë ndaj veteranit, sepse kjo qeveri i ka dhënë qindra miliona euro edhe KEDS-it, ua ka paguar rrymën bankave që bëjnë më shtrenjtë se pagat e veteranëve, ua paguajmë rrymën edhe serbëve në veri e tash të diskutohet a është e drejtë ose jo, kjo është luftë ndaj veteranëve”, ka thënë Molliqaj.
Protesta po vazhdon të jetë e qetë.
Ndërkaq, kuvendi po vazhdon të jetë në një pauzë, pasi kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, i ka ftuar shefat e grupeve parlamentare të partive opozitare, të cilët e bllokuan foltoren.
Në fillim të seancës, opozita ka filluar me brohoritje, duke goditur tavolinat me shishe, duke kundërshtuar kështu ligjin për pagën minimale, si shenjë solidarizimi me protestën e veteranëve.
Ndërkohë, deputetët nga radhët e opozitës kanë bllokuar foltoren duke kërkuar që të ndërpritet kjo seancë, në mënyrë që të solidarizohen me veteranët e luftës.
Abelard Tahiri, nga radhët e PDK-së ka ndërprerë vazhdimin e seancës duke këputur mikrofonin.