Qeveria e Kosovës në lidhje me grevën e minatorëve të “Trepçës” është zotuar për angazhim në gjetjen e një zgjidhjeje, por duke theksuar se përkrahja financiare varet nga zotimi se do të ulen shpenzimet dhe do të rifillojë rritja e prodhimit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet në komunikim të vazhdueshëm me Bordin mbikëqyrës të ndërmarrjes. Sigurojmë se të gjitha palët janë të angazhuara maksimalisht për një zgjidhje afatgjatë, në përputhje me kompetencat ligjore dhe përgjegjësitë e tyre. Njëkohësisht, Qeveria është duke trajtuar planin e propozuar nga ndërmarrja Trepça Sh.A. Përkrahja financiare varet nga plani dhe zotimi konkret që do të ulen shpenzimet dhe do të rifillojë rritja e prodhimit”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
Qeveria pret që ndërmarrja të marrë masa që rrisin kontrollin e brendshëm operativ e financiar, si dhe reforma rrënjësore që transformojnë afarizmin e tyre.
Sipas qeverisë, i është dhënë mbështetje “Trepçës” gjatë gjysmës së parë të këtij viti, por ajo “ka operuar me humbje si rezultat i ngecjeve në prodhim dhe të hyrave të pamjaftueshme”.
“Pavarësisht mbështetjes që Qeveria i ka dhënë gjatë gjysmës së parë të këtij viti, ndërmarrja Trepça Sh.A. ka operuar me humbje si rezultat i ngecjeve në prodhim dhe të hyrave të pamjaftueshme. Ministria e Ekonomisë ka përkrahur ndërmarrjen me subvencione në vlerë prej 3.3 milionë euro, që është përtej shumës së planifikuar për të gjithë vitin. Megjithatë, këto mjete nuk u kanë mjaftuar për të siguruar mbulimin e shpenzimeve operative dhe pagave të punonjësve, që përbëjnë pjesën e konsiderueshme të shpenzimeve të ndërmarrjes”, thuhet në komunikatë.
Qeveria ka treguar edhe pritjet që ka tani nga menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje.
“Ministria e Ekonomisë në mënyrë të vazhdueshme ka inkurajuar menaxhmentin e ndërmarrjes për të optimizuar shpenzimet. Së fundmi, me pranimin e kërkesës së ndërmarrjes për ndarjen e mjeteve financiare shtesë, Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës ka kërkuar nga Bordi mbikëqyrës dhe menaxhmenti që të prezantojnë një plan veprimi. Ne presim që të adresohen në mënyrë të qartë, efektive dhe të qëndrueshme sfidat e ndërmarrjes”, theksohet tutje.
Sot, minatorët e kanë nisur mëngjesin e 23-të të grevës së tyre.
Minatorët e minierës së Trepçës kanë hyrë në grevë për shkak se tashmë janë bërë dy muaj që ata nuk i kanë marrë pagat e tyre.
Pagat e muajit qershor dhe korrik ende nuk janë ekzekutuar për punëtorët e kësaj ndërmarrje.
Të mërkurën, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, mbajti takim me grevistët dhe diskutuar për zhvillimet brenda ndërmarrjes duke bërë thirrje për ekzekutimin e pagave.
Bordi i kësaj ndërmarrje përmes një komunikate për media, të martën thanë se janë në komunikim të vazhdueshëm me Qeverinë për zgjidhjen e këtij problemi.