Ushtria izraelite thotë se ka konfirmuar se shefi ushtarak i Hamasit, Mohammed Deif, u vra në një sulm ajror izraelit në Rripin e Gazës muajin e kaluar.
Izraeli ka thënë se Mohammed Deif, një nga figurat kryesore përgjegjëse për planifikimin e sulmeve të 7 tetorit në Izraelin jugor, u vra më 13 korrik në një kompleks në zonën Khan Younis.
Edhe pse Hamasi ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht vdekjen e tij, autoritetet shëndetësore të Gazës, të drejtuara nga Hamasi, kishin mohuar fillimisht përfshirjen e Deifit në mesin e viktimave të sulmit ajror që vrau më shumë se 90 njerëz.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, e përshkroi vdekjen e Deifit si një “moment historik i rëndësishëm” në çmontimin e Hamasit, duke shtuar se “terroristët e Hamasit ose mund të dorëzohen ose do të eliminohen”.
Deif, një figurë e njohur dhe i kërkuar nga Izraeli për dekada, ishte kreu i Brigadave Izzedine al-Qassam, krahu ushtarak i Hamasit, raporton BBC.
I lindur në kampin e refugjatëve Khan Yunis të Gazës në vitin 1965, ai iu bashkua Hamasit në vitet 1980 dhe shpejt u bë i njohur për planifikimin dhe mbikëqyrjen e bombardimeve të autobusëve që vranë dhjetëra izraelitë në vitin 1996 dhe për përfshirje në kapjen dhe vrasjen e tre ushtarëve izraelitë në mesin e viteve 1990.
Deif gjithashtu ishte i njohur për ndërtimin e tuneleve që lejonin luftëtarët e Hamasit të hyjnë në Izrael nga Gaza.
Gjatë konfliktit aktual, Deif besohet të ketë drejtuar operacionet ushtarake të Hamasit nga brenda tuneleve nëntokësore të Gazës.
Lajmi për vdekjen e tij vjen në një kohë të tensionuar për rajonin.
Udhëheqësi politik i Hamasit, Ismael Haniyeh, u vra gjithashtu këtë javë gjatë një vizite në Iran, megjithëse Izraeli nuk ka komentuar drejtpërdrejt vdekjen e tij.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu fajësoi Hezbollahun për një sulm me raketë në Lartësitë Golan që vrau 12 fëmijë dhe të rinj druze, dhe Izraeli iu kundërpërgjigj me sulme ajrore në Bejrut, ku u vra një komandant i lartë i Hezbollahut dhe katër të tjerë, përfshirë dy fëmijë.